Orari i Partizani-Teuta, Ranxhi: Kjo është e vërteta!

schedule12:29 - 4 Tetor, 2019

schedule 12:29 - 4 Tetor, 2019

Partizani-Teuta zhvillohet nesër, por ka një dilemë të madhe në lidhje me orarin e ndeshjes. Sektori i Garave në FSHF kishte vendosur fillimisht që të gjitha takimet e kësaj jave të luheshin në orën 14:00, por më pas pati një ndryshim plani.

Të kuqtë duan ta luajnë sfidën me durrsakët prej orës 17:00 dhe kanë gjetur dakordësinë me FSHF-në, por transmetuesi zyrtar i kampionatit, Supersport, është kundër. Në klubin e Partizanit presin që orari të ndryshojë, sikurse edhe u shpreh zëdhënësi për shtyp, Olsi Ranxhi, para mediave ditën e sotme.

Olsi Ranxhi, zëdhënësi për shtyp i Partizanit | Foto: Partizani.al

“Kemi dërguar të gjitha shkresat në FSHF, ia kemi dërguar edhe Policisë së Shtetit. Gjithashtu kemi bërë një kërkesë tek OSSHE-ja për ta luajtur ndeshjen me drita. Kemi marrë një miratim nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërkohë që në orët në vijim ka ardhur një insistim nga paketa ‘Supersport’, që ka kërkuar që kjo ndeshje të luhet në orën 14:00.

Arsyetimi i tyre është se e kanë të pamundur që të zhvillohet në orën 17:00. Klubi sigurisht që shikon interesin e vet dhe kërkojmë të luhet në kushte sa më të mira, duke ditur që luhet një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj Teutës. E shohim të arsyeshme që ky takim të luhet në orën 17:00. Jemi në pritje. Kjo është pak a shumë e vërteta në lidhje me orarin e zhvillimit të ndeshjes”, ka deklaruar Ranxhi. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!