Opozita thyen bojkotin, dërgon 8 deputetë në parlament për studentët

schedule10:29 - 13 Dhjetor, 2018

schedule 10:29 - 13 Dhjetor, 2018

Zhvendosja e protestës së studentëve përballë parlamentit ka detyruar opozitën të lërë mënjanë bojkotin. Ajo u përfaqësua me tetë deputetë, Luçiano Boçi, Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, Valentina Duka nga Partia Demokratike dhe Petrit Vasili, Luan Rama, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaci nga Lëvizja Socialiste për Integrim. LSI kërkoi miratimin e dy amendamenteve shtesë në buxhetin për arsimin e lartë.

Kejdi Mehmetaj: “Ne kemi propozuar dy projektligje, njëri për të ndërhyrë në buxhetin e vitin 2019 duke dyfishuar zërat për arsimin universitar, duke dyfishuar zërin për kërkimin shkencor dhe duke krijuar një fond emergjence për t’i nxjerrë studentët nga ajo gjendje e mjerueshme që ndodhet në konviktet e qytetit Studenti, ku mungon uji, ngrohtësia, pra mungojnë kushtet bazike për të jetuar e jo më për të studiuar. Nga ana tjetër kemi bërë një propozim për disa ndryshime në ligjin për arsimin e lartë”.

Propozimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për rritjen e buxhetit për arsimin mund të shërojnë gripin e stinës, por nuk mund të shërojnë dimrin kanceroz që ka pushtuar universitetet shqiptare tha deputeti demokrat Luçiano Boçi.

Luçiano Boçi: “Ne jemi për abrogimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. E kemi thënë që në vigjilje të miratimit të tij, sepse nga këtu nis e keqja. Jemi për zëvendësimin e tij me një ligj që i përshtatet studentëve, që i jep zhvillim arsimit, që garanton me ligj shkurtimin e tarifave, që garanton me ligj autonominë reale universitare, që garanton me ligj rolin thelbësor që kërkojnë sot studentët dhe ju nuk ia jepni, dhe nuk doni t’ia jepni. Ky është qëndrimi ynë dhe është i saktë dhe i prerë”.

Qëndrimin kundër deputeti Boçi e shprehu edhe me një gjest Duke hedhur në drejtim të Kryeministrit Edi Rama, ligjin e Arsimit të Lartë. Përgjigjen ia dha kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla.

Taulant Balla: “Dua ta them troç në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste: Të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një për një. Mirëpo jo me dialog me ju, por me dialog me ata që meritojnë të gjithë respektin e këtij Kuvendi e këtij kombi, studentët që sot janë në protestë”.

Një pyeteje e ka për Lëvizjen Socialiste për integrim që i kërkon ndryshime në buxhetin për arsimin e lartë.

Taulant Balla: “Si ta ndryshoj unë buxhetin Petrit, kur buxheti është te Ilir Meta? Buxheti sot është te Ilir Meta, nuk është në Kuvend. Është te Presidenti i Republikës. Të gjithë e dini që procedura e ndryshimit të buxhetit është një procedurë që nuk bëhet me dy gisht letër, po kjo është tallje.  28 vjet tallje dhe doni të bëni edhe 28 minuta tallje me studentët këtu në sallën e Parlamentit”.

Të tilla deklarata janë tallje që nuk tregojnë gatishmërinë për t’i dhënë zgjidhje protestës së studentëve sipas deputetëve të lëvizjes socialiste për integrim.

Petrit Vasili:Ky parlament ka bërë dhe ka ndryshuar Kushtetuta brenda natës. Po këtu kanë qenë zotninjtë që e kanë bërë këtë punë pa iu dridhur qerpiku fare. Kanë duartrokitur e janë hedhur përpjetë. Atje janë mijëra djem e vajza që në radhë të parë nuk kanë nevojë të dëgjojnë monologje, por kanë nevojë për zgjidhje dhe këto zgjidhje janë këtu në këtë sallë. Kush do të ikë nga këto zgjidhje do të marrë përgjegjësinë para tyre”.

Luan Rama: “Protesta e studentëve, revolta e studentëve në thelb është treguesi më i mirë i produktit politik të të gjithë klasës politike të këtij vendi në 27 vjet dhe është produkti më akuzues i qeverisjes së këtij vendi që do të thotë të gjithë ne këtu pavarësiht ngjyrave politike që përfaqësojmë duhet të ndihemi të turpëruar, të ulim kokën dhe t’u kërkojmë ndjesë atyre studentë dhe të harrojmë për një çast se çfarë mandati partiak kemi këtu për t’u ngritur të paktën në nivelin e qytetarisë, të kulturës dhe të rezistencës së atyre studentëve atje”.

Mazhoranca i rrëzoi propozimet e bëra publike nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por dy ministrat e kabinetit qeveritar kishin përgatitur t’i jepnin një lloj zgjidhje disa prej kërkesave të studentëve.

Lindita Nikolla: Lindita Nikolla dil nga ministria, të kanë ardhur studentët, jo ushtria. Thërritën, studentët, unë dola nga Ministria sepse nuk e kam fare të vështirë,  kam punuar si të ishte dita e fundit dhe për të mos turpëruar asnjë mësues dhe asnjë që më besoi mua.

Arben Ahmetaj: “Të gjithë kërkojnë ta shfrytëzojnë protestën e studentëve. Të gjithë kërkojnë q të nxjerrin gështenjat me zjarr që në fakt djeg Shqipërinë dhe nuk sjell asnjë përfitim aq më tepër për studentët. Kjo qeveri nuk do as të shfrytëzojë, as të fikë, as të ndezë. Është fokusuar të një dialog për të zgjidhur problemet”.

Deklaratat e të dyja krahëve të politikës nuk e bindin deputeten demokrate Rudina Hajdari. Pjesëmarrja në këtë seancë plenare ishte zgjedhja e saj personale të cilin e sqaroi nga foltorja e parlamentit nga ku i bëri thirrje edhe deputetëve të Partisë Demokratike të lënë mënjanë bojkotin e të përfaqësojnë studentët në sallën e vendimmarrjeve.

Rudina Hajdari: “Unë kam ardhur këtu për një arsye të vetme, për t’ju thënë ju që rrini nëpër kafe aty që asnjë nuk është në këtë seancë, dhe këtu kushdo që foli ishte një kryehajdut që asnjë nuk e do këtë vend dhe s’keni për ta dashur. Dhe nëse doni ju ndryshim në këtë vend, sillni Kodin Zgjedhor këtu. Mos i mbani listat e mbyllura! Silleni këtu ta votojmë. Dhe atëherë do pastrojmë këtë Parlament. Do pastrojmë këtë kastë politike dhe do e ndryshojmë këtë vend”.

Deklaratat nuk prodhuan ndryshim të axhendës së parlamentit. Opozita u largua ndërsa mazhoranca u mor me diskutimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!