Opozita rinis sulmin ndaj qeverisë: Rama po varfëron vendin për të pasuruar oligarkët

schedule17:58 - 3 Janar, 2020

schedule 17:58 - 3 Janar, 2020

Dy partitë më të mëdha opozitare, PD dhe LSI edhe këtë vit e kanë nisur sulmin ndaj qeverisë me akuzat për varfërimin e vendit dhe mbështetjen që Kryeministri Rama po ofron sipas tyre për oligarkët.

Opozita në këtë vit rinisi akuzat dhe denoncimet ndaj qeverisë së Edi Ramës me përftimet që u siguron një grupi të vogël individësh. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata uroi :

“Largimi e qeverisë dhe  kryeministrit që drejton vendin është i pashmangshëm” dhe tha se ky urim ka një arsye të thjeshtë:

“Edi Rama dhe qeveria e tij vjedhin shqiptarët për të pasuruar oligarkët, klientët dhe financuesit e  tyre. Buxheti 2020 me 150 milionë dollarë pagesa për 10 oligarkë nuk është prova e vetme se motivimi kryesor i qeverisjes së Edi Ramës  është vetëm zhvatja dhe grabitja e qytetarëve  për interesa korruptive. Të dhënat zyrtare tregojnë se Edi Rama i ka dhuruar financueses së e fushatës së tij elektorale, Vilma Nushi, 8,5 milionë euro përmes kontratës korruptive të koncesionit të check up-it”.

Me premtimin se PD do i zhbëjë këto koncesione, Çlirim Gjata tregoi një raport të Ministrisë së Financave që bënte bilancin e punës që ka bërë kompania që ka marr shërbimin e  check-upit.

“Një raport i dhjetorit për koncesionet i Ministrisë së Financave, konfirmon se për 3 vitet e para të lidhjes së kontratës së dështuar dhe korruptive të check up-it, mikesha dhe financuesja e Edi Ramës është paguar për 580 mijë kontrolle të pakryera. Fatura që shqiptarët kanë paguar për të pasuruar oligarken dhe kryeministrin është 8.5 milionë euro”

Nga selia e lëvizjes për Integrimin, nënkryetari i saj Petrit Vasili tha se ky vit do të jetë i ndryshimit të madh dhe listoi një bilanc të errët të punës së qeverisë.

“Ishte vit ku grabitja shtetërore nuk u step as prej dëmeve tragjike të tërmetit”

Sipas tij : “Çdo shtresë e shoqërisë shqiptare ka vuajtur dhe është gjendur në trishtim, të vetmit që kanë buzëqeshur kanë qenë oligarkët dhe qeveria. Shqiptarët në 2020 nuk mund të humbasin më asnjë ditë më shumë për të rifituar të ardhmen e grabitur nga qeveria”

Në deklaratën e tij, nënkryetari i LSI-së, bëri përgjegjëse qeverinë për gjendjen e vendit dhe iu rikthye kërkesës për largimin e Edi Ramës nga qeverisja./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!