Krerët e grupeve parlamentare të PD e LSI kallëzuan në Prokurorinë e Tiranës kryeministrin Edi Rama. Sipas dy forcave më të mëdha opozitare kreu i qeverisë kishte konsumuar tre vepra penale kur cilësoi si “horr” ish-oficerin e policisë, Emiliano Nuhu.
Krerët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialite për Integrim depozituan një kallëzim kundër kryeministrit Edi Rama në Prokurorinë e Tiranës. Sipas tyre, kreu i qeverisë ka konsumuar tre vepra penale gjatë deklaratës publike të 29 shtatorit kur e quajti horr ish-oficerin e policisë, Emiliano Nuhu dhe se po përdoret rastin për të përfituar azil jashtë vendit.
“Me këtë deklarim publik kryeministri ka kërcënuar, i është kanosur komisarit në kushtet e të qenurit në detyrë shtetërore, ka ndërhyrë në detyrën e organeve hetimore, pasi Prokuroria kishte filluar paralelisht dy hetime. Dhe me deklarimet e tij kryeministri paracaktoi rezultatin e hetimit, e vendosi se si ai duhej të ishte, ku të mbrohej djali i deputetit dhe të denigrohej, të poshtërohej dhe të dënohej komisar Emiljano Nuhu”.
Referuar materialit kallëzuës, krerët e grupeve të PD dhe LSI bëjnë përgjegjës Ramën edhe për veprat penale të “veprime që pengojë zbulimin e së ërtetës dhe “kanosjes për të mos kallëzuar”.
“Kryeministri nuk i është kanosur dhunuesit, por i është kanosur denoncuesit dhe ky është fakt. Së dyti, çdo pretendim i lidhur me deklarimet e komisar Nuhut, pas këtyre deklarimeve djali i deputetit ndodhet në arrest në burg”.
Kreu i grupit parlamentar demokrat tha se nuk i druhej paketave anti-shpifje të paralajmëruara nga kryemiunistri.
“Vendi sot nuk ka nevojë për paketa të cilat synojnë t’i mbyllin gojën të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të denoncojnë mafian dhe lidhjen e krimit të organizuar me këtë qeverisje. Vendi ka nevojë ka nevojë për paketën anti-krim, për paketën anti-mafia”.
Veprat penale për të cilat partitë opozitare kanë kallëzuar kryeministrin parashikojnë dënime me nga 2, 3 dhe 4 vite burg. /abcnews.al