Opozita nuk tërhiqet nga propozimet e saj, Basha: Rama t’i pranojë ose të hapë krahun

schedule10:36 - 2 Tetor, 2019

schedule 10:36 - 2 Tetor, 2019

Opozita nuk tërhiqet nga propozimet e saj për reformën zgjedhore. Kryetari i Partisë Demokratike pas një takimi të zhvilluar me aleatët e tij në opozitë i kërkoi kryeministrit të shprehet nëse është i gatshëm të pranojë propozimet e opozitës ose në të kundërt të largohet. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe aleatët e PD, Kryemadhi dhe Mediu.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë të vendosur të angazhohet në reformën zgjedhore, por 5 pikat e propozuara në tryezën e thirrur nga OSBE i kanë të panegociueshme. Lulzim Basha ishte i prerë kur deklaroi se Edi Rama ka vetëm një rrugë: Të zbatoj planin e propozuar nga opozita ose të largohet.

Qëndrimi ultimativ i kreut të demokratëve erdhi menjëherë pas takimit konsultues që zhvilloi me aleatët e tij në opozitë. Takimi i koalicionit opozitar erdhi pak orë pasi kryeministri Rama në një intervistë televizive rikonfirmoi qëndrimin e tij se nuk do ta pranonte propozimin e demokratëve për krijimin e një strukture të posaçme me prezencë ndërkombëtare për reformën zgjedhore.

Aleatët e demokratëve, Kryemadhi e Mediu ishin në sinkron me qëndrimet e Bashës kur kërkuan që Edi Rama fillimisht të shprehet për propozimet e opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore.

E mërkura ka qenë një ditë intensive takimesh në selinë blu. Mëngjesin e tij të punës, Basha dhe aleatët e tij e nisën me një takim me aktivistin amerikan, David Philips, ndërkohë që në mesditë një grup deputetësh të CSU-së gjermane bashkë me ambasadorin gjerman Peter Zingraf zbarkuan në selinë blu për të diskutuar mbi krizën politike./ABC News Albania