Teksa Partia Demokratike është në krizën më të thellë të saj në tre dekada, kryeministri Edi Rama i është rikthyer sloganit të tij të vjetër. Bëhet fjalë për sloganin “Përtej të majtës dhe të djathtës”, në të cilin Rama u mbështet shumë përgjatë viteve 2008-2009 para se të vinte në pushtet.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e sotme me gazetarët, Rama u zotua se do të kujdesej për të gjitha shtresat shoqërore, duke bërë sipas tij politika që shkojnë përtej të majtës dhe të djathtës.
Rama tha se tani është momenti që të mos merret me problemet e opozitës, por ta bëjnë politikën mjet në funksion të qytetarëve.
“E mbyll me situatën politike. Për mua ka vetëm një një këshillë, mos u merr me ta, mos u merr me këtë punë. Për këtë arsye trajektorja jonë do të jetë komplet tjetër duke filluar nga tani dhe deri në fund të mandatit. Do të bëjmë çmos që të shkojmë më afër njerëzve. Do bëj çmos që politika të bëhet në mjet në funksion të njerëzve, totalisht përtej të majtës dhe të djathtës. Ku nuk ka të majtë dhe të djathtë por shqiptarë që duhen mbrojtur”,-deklaroi Rama.
Sa të rëndë aq edhe qesharake e cilësoi më tej kryeministri situatën në selinë blu.
“Situata është sa e rëndë dhe qesharake. Ne nuk kemi asnjë mundësi që ta ndryshojmë atë trajektore marrëzie”, tha Rama. /abcnews.al