​Opozita në Kosovë “shuplakë” Albin Kurtit: Asnjë progres gjatë vitit 2023

schedule10:37 - 31 Dhjetor, 2023

schedule 10:37 - 31 Dhjetor, 2023

Tri partitë opozitare në Kosovë, PDK, LDK dhe AAK e quajnë të dështuar Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, ekzekutivi gjatë vitit 2023 ka stagnuar në të gjitha nivelet, pasi s’ka pasur asnjë projekt zhvillimor në ekonomi, shëndetësi e arsim, ndërkaq, siç thonë opozitarët Kurti ka lënduar marrëdhëniet edhe me aleatët ndërkombëtarë, pasi vendi është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Por të kundërtën e thonë nga ekzekutivi, të cilët konsiderojnë se kanë përmbushur të gjitha prioritetet gjatë vitit 2023.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti s’ka bërë asgjë pozitive gjatë këtij viti. Sipas tij, e njëjta më shumë është fokusuar në tema që kanë pasur qëllim dëmtimin e institucioneve të Kosovës dhe se ka krijuar probleme artificiale në veri për të shmangur problemet reale në Kosovë.

Kritik është edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i cili thotë për KosovaPress, se Qeveria Kurti në shumë segmente ka dështuar dhe se vendi është afër një bumi social.

Haziri përmend si të vetmen gjë pozitive reagimin e Policisë së Kosovës ndaj sulmit terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë. Ndërkaq, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë për KosovaPress, se qeveria përmes propagandës vetëm po mashtron qytetarët, pasi s’ka asnjë rezultat konkret në asnjë sektor në vend.

Po ashtu edhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se qeveria Kurti ka stagnuar në të gjitha nivelet, krahas premtimeve të mëdha edhe entuziazmit që ka pasur kur ka ardhur në pushtet. Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, tha se synimi i të gjitha vendimeve qeveritare ka qenë qytetari dhe fuqizimi i shtetit.

Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2023 ka mbajtur 62 mbledhje, derisa janë marrë gjithsej 526 vendime, ndërkaq janë miratuar 66 projektligje dhe pesë nisma legjislative.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!