Opozita konfirmon pjesëmarrjen në Këshillin Politik, Basha dërgon Bardhin përballë Ramës

schedule19:00 - 17 Korrik, 2020

schedule 19:00 - 17 Korrik, 2020

Opozita jashtëparlamentare ka konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit Politik pas ftesës së bashkëshkryetarit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri.

Në përgjigjen e tyre Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI theksojnë se në mbledhje përveç tyre do të jetë edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi.

Ata nuk tërhiqen nga marrëveshja e 5 qershorit duke deklaruar se ajo duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, duke paralajmëruar se asnjë nga çështjet e dakordësuara në këtë marrëveshje nuk do të rihapen në tryezën e radhës.

Nga ana tjetër në tryezë do të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama, ndërsa mbetet që maxhoranca të caktojë një ditë mes të hënës dhe të martës.

“Përgjigja e përfaqësuesve të opozitës që konfirmon pjesëmarrjen në Këshillin Politik.

I nderuar koleg,

Në emër të opozitës, mirëpresim reflektimin tuaj për të vijuar diskutimin dhe vendimmarrjen konsensuale në Këshillin Politik për çdo çështje lidhur me zgjedhjet, siç kemi rënë dakord me shkrim në Marrëveshjen Politike të 14 Janarit dhe Dakordësinë e 5 Qershorit.

Paraprakisht ju konfirmojmë se dokumenti i depozituar nga një grup deputetësh të mazhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në Tryezën e Këshillit Politik (siç ju rikonfirmoni me e-mail më sipër) duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim, dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty.

Për çdo çështje tjetër, ne jemi të gatshëm, në orën e caktuar nga ana juaj, si të hënë ashtu edhe të martën, pa patur një preferencë për këtë. Presim konfirmimin tuaj për ditën që ju preferoni, duke shprehur gatishmërinë tonë për pjesëmarrjen në atë mbledhje.

Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.

Mbetemi në pritje të konfirmimit të ditës nga ana juaj,

Me respekt,

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili”, përfundon përgjigja e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!