Këshilli Politik, Damian Gjiknuri: Në tryezë edhe Rama, mblidhemi të hënën ose të martën

schedule17:28 - 17 Korrik, 2020

schedule 17:28 - 17 Korrik, 2020

Bashkëkryetari i Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri ka njoftuar se mbledhja e radhës mund të mbahet të hënën ose të martën në orën 11:00 në varësi të disponimit të opozitës.

Ai thotë se Partia Socialiste do të përfaqësohet nga këtë tryezë nga vetë ai si dhe nga kreu i qeverisë Edi Rama, ndërsa thekson se mund të jenë present edhe krerët e opozitës përveç përfaqësuesve ligjorë.

Gjiknuri thekson se temë diskutimi në këtë tryezë do të jenë pikërisht ndryshimet kushtetuese të miratuara në Komisionin e Ligjeve.

Mbledhja e tryezës së Këshillit Politik u thirr pas kërkesës së kryedemokratit Lulzim Basha me propozim të presidentit Ilir Meta. Kjo kërkesë u pranua menjëherë nga kreu i qeverisë Edi Rama.

Opozita theksoi në deklaratën e saj se çështjet e dakordësuara në 5 Qershor duhet të aprovohen pa asnjë ndryshim dhe pa vonesa të mëtejshme për të mundësuar zbatimin e dispozitave të reja zgjedhore

Letra e plote e Gjiknurit per anetaret e Keshillit Politik: Sikurse jeni në dijeni, përmes Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka filluar shqyrtimin e projektligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor, dokument i depozituar nga një grup deputetësh të maxhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në tryezën e Këshillit Politik.

Gjithashtu, paralelisht përmes Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare të cilët propozojnë ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që lidhen me hapjen e listave zgjedhore dhe vendosjen e një pragu kombëtar.

Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj:

Mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë.

Vendi i zhvillimit të tryezës propozoj të mbetet i njëjti në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Në pritje të përgjigjes suaj,

Faleminderit

Damian Gjiknuri”.