Opozita bllokoi për dy orë 12 akse rrugore në vend

schedule10:16 - 3 Maj, 2019

schedule 10:16 - 3 Maj, 2019

Për dy orë opozita mbajti të bllokuar dje në mbrëmje 12 akse rrugore në mbarë vendin, si pjesë e aksionit të saj të mosbindjes civile. Lulzim Basha nga Elbasani përsëriti se nuk do ketë zgjedhje më 30 Qershor. Shtyrja  e tyre, sipas Bashës i shërben dialogut mes palëve, pa Edi Ramën kryeministër.

Protestuesit në Tiranë bllokuan rrethrrotullimin e sheshit “Shqiponja”. Ata dëmtuan edhe disa skela të vendosur aty për zgjerimin e projektit të Unazës së Madhe.

Tensione pati në qytetin e Fierit. Protestuesit tentuan të çajnë kordonin e policisë që ishte vendosur në urën e Mbrostarit. Por kjo situatë zgjati vetëm pak minuta dhe protesta vijoi e qetë. Në Kukës, protestuesit bllokuan nyjën kryesore të Rrugës së Kombit, Urën e Drinit të Zi.

Përreth dy orë u mbajt e bllokuar ura e Matit  nga protestuesit opozitarë të Dibrës. Forcat e policisë qëndruan në distancë dhe nuk pati përplasje. Edhe protesta e organizuar në Kryebushat të Shkodrës kaloi pa incidente.

Protestuesit nga Lezha, Mirdita e Kurbini u vendosën në superstradën Lezhë-Laç. Në dy orë bllokim të rrugës nuk u shënuan incidente, por protestuesit i vunë flakën disa gomave.

Në Durrës nuk u lejua të kalonte asnjë automjet në autostradën tek mbikalimi i Plepave. Protesta u zhvillua qetësisht dhe pa incidente.

Kurse në Gjirokastër, protesta kaloi me vetëm disa incidente të vogla. Aksi rrugor Tepelenë-Gjirokastër u tentua të hapej nga policia, por u kundërshtua nga kreu  i PD-së në Gjirokastër, Dasho Aliko.

Për dy orë protestuesit bllokuan gjithashtu aksin rrugor në hyrje të autostradës Vlore-Levan. Ndërsa policia devijoi qarkullimin në rrugën e vjetër nacionale Vlorë-Fier.

Edhe në hyrje të qytetit të Korçës u bllokua rruga nacionale pranë fshatit Çiflig. Më tepër se 120 forca policie ishin angazhuar për monitorimin e protestës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!