Një javë pas zgjehdjeve të 30 qershorit, opozita e bashkuar u rikthehet sërish protestave. Lulzim Basha thirri shqiptarët t’i bashkohen nesër në mbrëmje, ndërsa Kryeministri u përgjigj se dhuna nuk sjell fitore, por ndjell humbje.
“Asnjë hap pas”. Me të njëjtin slogan, Lulzim Basha rikthen protestat në kryeqytet.
Të hënën në orën 20 opozita do të mbajë protestën e parë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, të cilat nuk i njohin.
“Nesër me #8korrik në orën 20:00, bashkohemi të gjithë në Tiranë si njerëz të lirë me dinjitet, prindër, motra, vëllezër, bij e bija shqiptarësh kurajozë, të gjithë bashkë kundër diktaturës së krimit, në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit, për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk”, shkruan Basha.
Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ju është përgjigjur këtyre thirrjeve duke përdorur një shprehje të Martin Luter King,
“Përtej aspektit moral, limiti i protestave të dhunshme qëndron në faktin se ato s’të çojnë në fitore dhe këtë e dinë edhe ata që i bëjnë. Pra protesta e dhunshme s’është revolucionare po reaksionare, sepse ndjell humbjen”, shkruan Kryeministri.
Në mesazhet e ftesës për protestë nuk është përcaktuar nëse marshimi do të jetë përpara kryeministrisë, apo parlamentit, por Kuvendi do t’i nisë punimet një orë përpara planifikimit.
Seanca ku do të ngrihet një komision hetimor për Ilir Metën do të nisë në orën 17, dhe është parashikuar të mbyllet përpara se të fillojë protesta e opozitës./ABC News Albania 24/7