Operatorët në Divjakë: Prenotime ka më shumë nga të huajt

schedule19:33 - 2 Qershor, 2019

schedule 19:33 - 2 Qershor, 2019

Moti nuk po e ndihmon aspak turizmin këto ditë të para Qershori. Në plazhin e Divjakës ka shumë pak pushues ditor ndërsa operatorët turistikë janë në pritje të vizitorëve të huaj. Ata thonë për ABC News se ka prenotime të turisteve nga Europa për sezonin veror.

Është fundjavë Qershori, por kapriçot e motit kanë sjellë pak pushues në plazhin e Divjakës. Për prenotime të gjata është ende herët për vendasit.

“Është i freskët, por mirë është prapë”, tha një pushues.

“Kemi ardhur nga Tirana të bëjmë plazh. E kemi të përvitshëm plazhin e Divjakës. Ka të meta, por ka dhe të mirat e veta”, u shpreh një tjetër.

Rezervimet janë bërë më shumë nga të huajt. Operatorët turistike thonë se vizitorë nga Gjermania, Anglia, Italia dhe Franca do të vijnë në muajt Korrik dhe Gusht.

“Nga Londra kemi shumë klientë që presim këtë vit. Gjithashtu pa lënë dhe Gjermaninë dhe dy shtete të tjera siç janë Çekia dhe Polonia që janë vizitorë të përhershëm në Divjakë”, tha njëri prej tyre.

“Parashikohet një dyndësim i madh në drejtim të frekuentimit. Tani s’po shikojmë muaj, por pretendojmë se Korriku dhe Gushti do jenë mbi normalitetin”, u shpreh një tjetër operator turistik.

Në këto ditë të freskëta qytetarët dhe nxënësit e shkollave orientohen më shumë drejt Parkut Kombëtar të Divjakës. Pylli me pisha dhe shpendët gjithmonë kanë qenë pikat më të vizituara. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!