Operacioni “Shefi”/ Prokuroria shqiptare dhe Antimafia italiane japin detaje

schedule12:44 - 16 Mars, 2018

schedule 12:44 - 16 Mars, 2018

Autoritetet shqiptare bënë publike detaje nga operacioni policor anti-drogë italo-shqiptar i koduar “Shefi”, ku u prangosën 43 persona në dy vendet. Gjatë konferencës, ku ishte prezent edhe kreu i antimafias së rajonit të Pulias, Ettore Cardinali. Ai sqaroi emrin e operacionit dhe nëse kishte policë shqiptarë të përfshirë.

Ndonëse ka disa ditë që është finalizuar, pala shqiptare zgjodhi paraditen e së premtes për të bërë publike detaje të operacionit anti-drogë italo-shqiptar të koduar “Shefi”.

Të dhënat u bënë të ditura nga kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj gjatë një deklarate të përbashkët me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, drejtori i Antimafias në rajonin e Pulias në Itali, Ettore Cardinali dhe agjentë të DIA-s.

Besim Hajdarmataj: “Në vendin tonë dhe në Itali janë nxjerrë urdhër arresti për 21 shtetas shqiptar, prej të cilëve 19 të arrestuar dhe 2 në kërkim të cilët janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale të cilat operojnë në fushën e trafikimit të narkotikëve mes dy vendeve, Shqipëri dhe Itali, kryesisht për lëndët narkotike të llojit canabis sativa ku nga operacionet e kryera në shtetin Italian përgjatë viteve 2016-2017, janë sekuestruar 2.5 ton lëndë narkotike e llojit canabis sativa, 1kg kokainë dhe 1kg heroinë”.

Drejtuesi i Krimeve të Rënda dha detaje edhe mbi personat e arrestuar në Shqipëri.

Besim Hajdarmataj: “Shtetasit Mariglen Shusha, Donial Drolli, Hamid Seferi dhe Malton Lleshi ishin pjestar të një grupi kriminal i cili vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe që ndodheshin në vendin tonë. Janë caktuar gjithashtu masat e sigurimit personal “Arrest në burg” për dy shtetas të tjerë shqiptar, konkretisht Fërhat Hajdini, Fiqiret Seferi”.

Hajdarmataj theksoi se është hera e parë që në një operacion të tillë asistojnë dhe oficerë të DIA, që tregon sipas tij që tregon bashkëpunimin e frytshëm mes drejtësisë së dy vendeve në luftën kundër trafikut të drogës.

Kreu i antimafias shpjegoi përse operacioni ishte koduar “Shefi” dhe zonën ku operonte ky grup në vendin tonë.

Ettore Cardinali: “I kemi vënë emrin “Shefi”, pasi hetimi ka shkuar mjaft lart. Nuk mjaftuam vetëm me personazhet e drogës në Itali. Por u përqëndruam për të gjetur përgjegjësinë edhe te persona që dërgonin drogën. Sa i përket zonës, ku vinte, duhet të jetë zona e Orikumit”.

Pyetjes së ABC News nëse nga hetimet ishte konstatuar përfshirja e ndonjë ekspontenti të Policisë së Shtetit në këtë grup, Kardinali u përgjigj:

“Përsa i përket hetimeve që ne kemi kryer nuk ka pasur të dhëna për bashkëpunim mes tyre dhe personave në radhët e policisë”.

Operacioni anti-drogë “Shefi” u finalizua në 14 Mars 2018. Sipas autoriteteve italiane, droga e sekuestruar gjatë këtij hetimi shkon në vlerën e 15 milionë euro./abcnews.al