Operacioni blic në Tiranë/ 200 policë me drone dhe qen, 7 persona të shoqëruar

schedule14:41 - 29 Tetor, 2019

schedule 14:41 - 29 Tetor, 2019

Rreth 200 forca policie morën pjesë në një operacion blic të zhvilluar paraditen e sotme në ambientet e doganës së Tiranës. Për kontrollin e territorit, krahas punonjësve të Policisë, u përdorën drone dhe qen antidrogë.

Pas kontrolleve blic në Portin e Detar të Durrësit, në sitë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejt kaloi Dogana e Tiranës. Këto janë pamje nga kontrolli i zhvilluar në ambientet e brendshme dhe të jashtme të doganës.

Rreth 200 forca policie morën pjesë paraditen e martës, ku krahas kontrollit të punonjësve të administratës u përdorën nga uniformat blu edhe drone e qen antidrogë.  Operacioni u ndoq nga afër nga kreu i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj dhe Gjovalin Loka, përgjegjës për rendin dhe sigurinë në Policinë e Shtetit.

Në skaner të forcave të rendit kaluan 67 kamionë, 23 magazina dhe objekte të ndryshme brenda doganës, 107 automjete dhe rreth 267 persona. Gjatë kontrolleve, u zbulua 1 pistoletë, disa vula të dyshuara si të falsifikuara e sende të tjera të kundërligjshme.

Forcat Lëvizëse Operacionale shoqëruan 7 persona por nuk specifikohet për çfarë vepre penale akuzohen. Ky operacion u krye në zbatimi të planit të masave nga policia e Shtetit për kontrollin e të gjitha pikave të kalimit kufitar, porteve e aeroportit, doganave dhe çdo objekti të rëndësisë së veçantë.

Më herët, një kontroll i tillë u krye në qytetin e Durrësit dhe te Vlorës, ku u shoqëruan disa persona që i fshiheshin drejtësisë./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!