Garda Civile dhe Policia Spanjolle kanë sekuestruar një sasi prej 2,800 bimë të llojit “marijuana”, e cila ishte kultivuar nga një grup i përbërë nga gjashtë persona, të cilët kishin mbjellë bimën në zona të ndryshme në provincën e Valencias.
Sipas një deklarate të përbashkët të Policisë dhe Gardës Civile, të arrestuarit janë tre shqiptarë dhe tre gra me origjinë shqiptare dhe kolumbiane, të cilët janë midis moshës 28 dhe 45 vjeç.
Të arrestuarit akuzohen për vepra të ndryshme penale, atë të përfshirjes me krimin e organizuar, për kultivim të lëndëve narkotike, trafik droge, mashtrim dhe falsifikim dokumentash.
Operacioni i koduar “Lavori” i cili ka patur në mbikqyrje prej 7 muajsh shqiptarët, të cilët e kryenin aktivitetin e tyre në rajonin e Valencias, arriti në përfundimin se ky grup, përbënte një organizatë të mirëfilltë dhe të mirëorganizuar kriminale, në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike.
Deri tani në 3 zona në provincën e Valencias, janë sekuestruar tre plantacione me 361 kilogramë marijuanë, por sasia më e madhe e bimëve të sekuestruara, u kap në një vilë në Chiva, ku agjentët sekuestruan 1.300 bimë kanabis.
Agjentët spanjollë gjithashtu kanë sekuestruar pajisje moderne dhe tepër të sofistikuara, të cilat ndihmonin në rritjen e shpejtë të bimës, të cilat kapin vlerën e 160,000 euro.
Po ashtu u sekuestruan tre automjete super luksoze, 10 celularë, një makinë për numërimin e parave, 7442 euro cash, dy makina paketimi e një sërë materialesh të tjera, që ndihmonin në kultivimin, deri në nxjerrjen në treg të bimës.
Autoritetet spanjolle njoftuan se materialet e sekuestruara kapnin shifrat e më shumë se 2 milion euro.
Policia spanjolle ka njoftuar se hetimet janë ende në zhvillim e sipër, dhe nuk bëhen me dije detaje të tjera në lidhje me këtë operacion antidroge./abcnews.al