Presioni pozitiv, që varet nga rezultatet “Open Balkan”, mund ta bindë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që t’i bashkohet kësaj nisme. Kështu u shpreh ish ministri i Jashtëm Paskal Milo në një intervistë në “Radarin Informativ” në ABC me Jonida Shehun. Megjithatë Milo tha se një gjë e tillë është e vështirë të ndodhë pasi së pari theksoi ai duhet të bien barrierat e mentaliteteve, më pas ato të kufijve.
“Unë kërkoj të heq një paralele të Open Balkan me integrimin në BE. Britania kërkonte të futej në komunitetin ekonomik evropian siç quhej atëherë, ku ishte Franca ajo që refuzonte. Britania arriti dhe u fut më vonë por doli përsëri, siç dihet tashmë kjo histori. Duke nënvizuar dhe parë rezultatet e një procesi që sapo ka nisur (Open Balkan) mundet që në rrugë e sipër mund të ketë presion pozitiv për Kurtin nëse ka rezultatet të dukshme. Psh nëse funksionon ky tregu rajonal , ku bien barrierat dhe mentalitetet, se në rradhë të parë duhet të bien kufijtë që ekzistojnë në mendjet e serbëve. Pa rrëzuar mentalitete e njerëzve nuk mund të rrëzohen doganat. Është i vështirë si proces”, tha Milo.
Referuar deklaratave të Kurtit i cili është shprehur se nuk ka nevojë për një nismë tjetër pasi procesi i Berlinit është i mjaftueshëm, Milo tha se Kosova është traumatizuar nga historia, për shkak se nuk ka zgjidhur çështjen kryesore siç është njohja e saj nga Serbia. Në vijim të kësaj marrëdhënie, Milo tha se ka rrezik, pasi sipas tij Kosova ka filluar rrugën e një procesi të ngrirë.
“Kosova është e traumatizuar nga historia dhe nga fakti që nuk po zgjidhet çështja kryesore e saj që është njohja e ndërsjelltë me Serbinë dhe perspektiva nuk është optimiste për mua. Ka rrezik që Kosova mund të shkojë drejt një procesi të ngrirë. E ka filluar rrugën e një procesi të ngrirë. Brukseli nuk shqetësohet nga Open Balkan. BE duhet të shqetësohet nëse këto 3 vende mund ti hedhin sytë nga aktorë të tretë, si Rusia, Kina. Dhe në fakt mund të shihet një mundësi e tillë”, shtoi ai. be.k/abcnews.al