Olta Xhaçka: Brenda dy javësh nis puna për Rrugën e Arbërit

schedule11:56 - 15 Maj, 2018

schedule 11:56 - 15 Maj, 2018

Punimet për Rrugën e Arbërit do të nisin brenda dy javësh. Kështu u tha ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, banorëve të qarkut Dibër. Ndërtimi i kësaj rruge nuk do të lërë në hije nevojat e tjera që ka kjo zonë e Shqipërisë ka nënvizuar ministrja Xhaçka.

Ndalesa e radhës e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, gjatë turit të llogaridhënies publike të qeverisë, u zhvendos këtë herë në qarkun Dibër.

Në qytetin e Peshkopisë, ministrja Xhaçka dha lajmin e mirë se për dy javë fillojnë punimet për Rrugën e Arbërit, e cila do të lidhë Bulqizën me Tiranën për vetëm 30 minuta.

“Dibra i ka dhënë shumë Shqipërisë ndër vitem në histori dhe është koha të marrë mbrapsht atë që i takon. Më në fund kanë ardhur mjetet dhe për dy javë fillon puna për rrugën dhe ambicia jonë është që brenda tre vjetëve Tiranë-Bulqizë, që do të lidhet për vetëm 30 minuta, të ketë përfunduar. Fatmirësisht ka hyrë në rrugë të mbarë dhe do të bëhet realitet shumë shpejt dhe jam e bindur që pas kësaj mundësie të jashtëzakonshme edhe Dibra do të jetë e lidhur me pjesën tjetër dhe do të zhvillohet me ritme shumë më të shpejta edhe falë gjithë atyre vlerave që ju i keni këtu,që janë mençuria, punëtoria, aftësia për të bërë gjëra të bukura, gjëra të mëdha”, deklaroi Ministrja.

Në bashkëbisedim me qytetarët, ministrja e Mbrojtjes nënvizoi se, ndërtimi i rrugës nuk mund të lërë në hije nevoja të tjera që qytetarët kanë për arsim, për shëndetësi, për infrastrukturë, për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për më shumë ujësjellësa, për më shumë shërbime, të cilat kanë lidhje me punën e përditshme që bën qeveria apo bashkia.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë Administrative Maqellarë, Ministrja e Mbrojtjes e vuri theksin tek sistemi meritokratik për të gjithë ata që u shërbejnë qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë.

“Kemi ardhur në pushtet duke premtuar se, mënyrën e vjetër të të bërit të gjërave, merr njërin për dore dhe hiq tjetrin, njëri i nënës e tjetri i njerkës, do ta prishim. Dhe që do ndërtonim një sistem sa më meritokratik. Por e rëndësishme është që vullnetin për t’i ndryshuar gjërat për mirë e kemi shumë të fortë. Dhe Maqellara do të përfaqësohet edhe më shumë, edhe më mirë. Detyrimi ynë për Maqellarën është disafish, jo vetëm për shkak të madhësisë, jo vetëm për shkak të rëndësisë që mund të ketë Maqellara për qarkun e Dibrës ose për Bashkinë e Dibrës, por edhe për besimin e madh që na kanë dhënë dhe që ne duhet ta justifikojmë”, tha ndër të tjera Ministrja Xhaçka në fjalën e saj./abcnews.al