Sipas raportit më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Italia shkel të drejtat e njeriut dhe të emigrantëve dhe njëkohësisht nuk respekton detyrimet ndërkombëtare ndaj tyre.
Italia shkel të drejtat e njeriut dhe të emigrantëve dhe nuk respekton detyrimet ndërkombëtare. Është kjo akuza e fortë që i bëhet vendit nga organizata e kombeve të bashkuara, që në raportin e fundit kritikon Italinë, e cila tashmë është pjesë e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut për tre vitet e ardhshme. Ekspertët shprehin shqetësim të madh për situatën italiane në tema si kriminalizimi i emigrantëve dhe racizmit në rritje.
Sipas të përditshmes italiane “La Republica” që publikon disa pjesë të raportit, ende të pa prezantuar të OKB-së, Italia tashmë ndodhet nën monitorimin universal periodik të komisariatit të lartë për të drejtat e njeriut. Nën vëzhgimin e ekspertëve kanë përfunduar dhe sulmet ndaj atyre që mbrojnë të drejtat e njeriut, nga ana e qeverisë si dhe fushatat kundër organizatave jo fitimprurëse.
Kombet e Bashkuara pohojnë se njohin rolin e rëndësishëm dhe shembullor që Italia ka luajtur duke shpëtuar emigrantët në det vitet e fundit, si dhe janë në dijeni të sfidave me të cilat përballet vendi në mungesë të një politike globale të Bashkimit Europian të solidaritetit me shtetet anëtare në kufijtë e jashtëm. Por një situatë e tillë nuk mund të përdoret si një justifikim për të shkelur të drejtat e njeriut dhe të emigrantëve.
Kombet e Bashkuara gjithashtu kritikojnë ashpër refuzimin që Italia i bën kërkesës për zbarkim të anijeve të organizatave jo fitimprurëse në portet italiane. Zëvendëskryeministri Italian Luigi Di Maio i konsideron këto të fundit si taksi deti, ndërsa kolegu i tij Salvini i përshkruan anëtarët e këtyre organizatave si zëvendëskontrabandues. Këtyre fakteve u shtohet dhe roli i mediave armiqësore që përhapin raporte të rreme dhe akuzojnë OJQ-të se ndihmojnë trafikantët./abcnews.al