Ofertë e parefuzueshme/ Çmendet City, Guardiola i fiksuar pas mbrojtësit latin

schedule14:09 - 14 Shtator, 2020

schedule 14:09 - 14 Shtator, 2020

Jose Maria Gimenez është një nga mbrojtësit më të fortë në botë. Uruguaiani është pjesë e Atletico Madrid prej vitit 2013 dhe puna me Diego Simeonen e ka përmirësuar shumë në këto vite.

“Los Colchoneros” marrin oferta tunduese për të në çdo sesion merkato, por trajnerin e cilëson të pashitshëm. Manchester United ka kohë që e tenton, por nuk po arrin dot një akord. Edhe Manchester City është i interesuar për shërbimet e 25-vjeçarit.

 

Jose Gimenez

Pep Guardiola e pëlqen shumë dhe e cilëson si njeriun e duhur për t’i dhënë fund problemeve në defensivën e ekipit të tij. Trajneri spanjoll dëshiron të “blindojë” çdo repart dhe drejtuesit e Cityt kanë nisur ofensivën për mbrojtësin latin.

AS raporton se klubi anglez ka gati një ofertë prej 89 milion eurosh (+ 5 milion të tjera në formë bonusesh) për Gimenez. Operacioni do të kapte shifrën e 94 milion eurove në total, shifër që nuk e ka shpenzuar askush për një mbrojtës (Harry Maguire me 88 milion euro nga Leicester te Manchester United është më i shtrenjti).

Ofertë tunduese, Atletico dhe Simeone do e kenë tepër të vështira ta refuzojnë, edhe pse për momentin nuk heqin dorë nga pretendimi për ta lënë të lirë vetëm nëse paguhet klauzola prej 120 milion eurosh. /abcnews.al