Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se ekspertët po bëjnë një punë të mirë në zhvillimin e vaksinës së koronavirusit. Megjithatë, sipas agjencisë, përdorimi i tyre nuk mund të pritet deri në fillim të 2021.
Mike Ryan, drejtori ekzekutiv i programit të emergjencave në OBSH u shpreh për gazetarët se është jetësore që të mos ketë lëshime kur vjen puna tek sigurie. Sipas tij, siguria duhet garantuar edhe sikur çmimi të jetë ngadalësimi i procesit të zhvillimit të vaksinës.
“Ne duhet të jemi në gjendje ta shohim veten në sy, dhe duhet të jemi në gjendje t’i shikojmë komunitetet tona dhe t’i sigurojmë ato që kemi ndërmarrë çdo masë paraprake për t’u siguruar që këto vaksina janë të sigurta dhe efektive para se të nisim t’i shpërndajmë në popullatë, “tha Dr Ryan.
“Që kjo të ndodhë, mund të shkurtojmë kohën, por realisht, do të jetë pjesa e parë e vitit kur do të nisim të shohim vaksinime të njerëzve,” shtoi ai.
Ai shtoi se disa vaksina potenciale për Covid-19 janë në fazën e tretë të testeve klinike dhe deri më tani asnjë prej tyre nuk ka dështuar në terma të sigurisë dhe aftësisë së tyre për të shkaktuar përgjigje imunitare ndaj virusit. /abcnews.al/

