Fëmijët në shkollat e Lushnjës po shkojnë në shkollë në temperatura tepër të ulëta. Në godinat e tyre nuk ka ngrohje dhe nxënesit detyrohen të marrim mësim të veshur trashë me xhupa, kapuç dhe dorashka. ABC News ishte në njërën prej këtyre shkollave, në Zgjanë të Lushnjës.
Janë veshur aq trashë sikur të ishin në Siberi jo në një shkollë në Lushnjë. Temperaturat janë ulur dhe fëmijët kanë ftohtë.
Në shkollën 9- vjecare të Zgjanës në Lushnjë, ata qëndrojnë të veshur me kapuç edhe brenda klasës. Mësuesja i ka porositur, të mos i heqin as xhupat, shallin dhe dorashkat, përndryshe duart e tyre nuk mund të shkruajnë.
Nxënësit: “Na ka thënë edhe mësueja të veshim shalla xhupa dorashka se është shumë ftohtë”.
Mësuesja: “Kalojmë duke lënë një 5 minutësh brenda orëve duke ngrohur duart dhe lojëra të ndryshme”.
Kjo shkollë, ka 200 nxënës, dhe 8 ambiente klasash. Vetëm në dy prej klasave lejohet të ndizet një rezistencë. Amortizimi i rrjetit elektrik nuk lejon ngrohësat. Kabujt janë të hollë dhe kalojnë direkt nga shtylla nëpër ambientet e brendshme të paktën sa për ndriçim. Drejtori thotë se dy herë rrjeti elektrik ka marrë flakë, kurse për ta rregulluar privatisht i kanë kërkuar 1.5 ml lekë.
Drejtori Bektash Gjolena: “Te kutia shpërndarëse kemi parë tym dhe kemi ul automatet, kemi bërë riparime të pjeshme, por private duke paguar një sasi lekësh. Për arsye të ndriçimt, enerigjia na duhet për dokumentacion, kompjutera, ndriçimi që është i erret nga pjesa veriore, plus ngrohja”.
Vetëm dy shkolla të qytetit janë në planet e bashkisë për rikonstruksion në 2019-ën. Mungesa e fondeve bën të vështirë ndërhyrjen në rrjetin elektrik.
Muharrem Sharka, Drejtor i Arsimit në Bashkinë Lushnjë: “Dy shkolla kanë projekt rikonstruksioni në Ministrinë e Arsimit dhe pritet një rikonstruksion i tyre, shumë shpejt”.
Lushnja ka 53 objekte shkollore, 7 prej të cilave kanë sistem ngrohjeje me kaldajë. Të pakta janë ato që ngrohen me dru zjarri, pjesa më e madhe që përdorin ngrohësat elektrikë kanë probleme me rrjetin. /abcnews.al
Gazetare: Anila Sefa