Nuk punojnë as semaforët, një pjesë e Prishtinës në terr total

schedule23:24 - 22 Dhjetor, 2021

schedule 23:24 - 22 Dhjetor, 2021

KEDS ka njoftuar se nga sot do të ketë reduktime të rrymës si pasojë e krizës energjetike. Reduktimet kanë prekur edhe kryeqytetin, ku një pjesë e Prishtinës ka mbetur pa rrymë duke mos punuar as semaforët në rrugë.

Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kosovë (KEDS) njoftoi se nga sot se do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin, si pasojë e prodhimit të ulët vendor dhe çmimeve të larta të importit të energjisë.

Disa nga lagjet e prekura me reduktime e që momentalisht janë pa rrymë janë Dardania, Ulpiana, Dragodan e Veternik ku rryma është ndërprerë para më shumë se dy orëve.

Qeveria i ka lënë fajet shpenzimeve të mëdha të energjisë elektrike dhe krizës energjetike në botë. Ajo ka ndarë 20 milionë euro javën që shkoi për importim të energjisë nga jashtë, por që kryeministri Albin Kurti është ankuar se edhe atje është rritur cmimi.

Lajmi për fillimin e reduktimeve në Kosovë ka bërë jehonë edhe nëpër mediat botërore.

Agjencia e lajmeve Reuters ka shkruar sot se shteti me 1.8 milionë banorë tani po importon rreth 40 për qind të nevojave për energji elektrike. Konsumi i energjisë është rritur, pasi në dimër shumica e konsumatorëve e përdorin atë për ngrohje. /GazetaExpress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!