Nuk ndalon dot ushtrinë e Kosovës, Serbia var shpresat tek NATO e SHBA

schedule19:12 - 19 Tetor, 2018

schedule 19:12 - 19 Tetor, 2018

E vetëdijshme se nuk e ndalon dot formimin e ushtrisë së Kosovës, Serbia paradoksalisht ka varur shpresat tek NATO dhe Shtetet e Bashkuara. Por gjatë vizitës në Beograd, një zyrtar i Departamentit të Shtetit ka deklaruar se ushtria duhet të krijohet dhe dialogu të vazhdojë.

Serbia nuk ka mundësi ta ndalojë formimin e ushtrisë së Kosovës. Por kjo mund të varet nga NATO. Reagimet në Beograd ishin të ashpra për votimin në Kuvendin e Kosovës. NATO shihet si mbrojtës pavarësisht historisë së hidhur me Serbinë. Presidenti serb, Alleksandar Vuçiç, gjatë një takimi me përfaqësuesin e Departamentit të Shtetit, Mattheë Palmer ka thënë se shpreson që SHBA ta kuptojnë qëndrimin serb.

Alleksandër Vuçiç, president i Serbisë: “Ne mundet vetëm të lusim që ta kuptojnë se kjo është e dëmshme dhe e rrezikshme për rajonin. Ne duam të ndërtojmë partneritet me Shtetet e Bashkuara”.

Mysafiri nga Uashingtoni tha se SHBA mbështesin dialogun, por edhe formimin e ushtrisë.

Matthew Palmer, ndihmës sekretar i SHBA për Euro-Azinë: “Ne kemi në plan të punojmë ngushtë me partnerët tanë, që ta mbështesim këtë tranzicion dhe që kjo të jetë një kontribut për paqen dhe sigurinë në rajon”.

Analisti politiko-ushtarak, Alleksandar Radiç thotë se e vetmja gjë që mund të ndodhë është që zbatimi i ligjeve në Kosovë të ngrihet.

Alleksandar Radiç, analist politiko-ushtarak: “Edhe pse është paradoksale, Serbia të vetmen shpresë ka NATO-n, pasi vetëm Brukseli mund të kërkojë të forcohen ligjet për shkak të monopolit mbi sigurinë që ka KFOR-i”.

Serbia u ka premtuar qytetarëve të saj se do t’i mbrojë kudo nëse është nevoja dhe shumë herë është folur për luftë. Kjo për analistët është psikologji politike dhe jo strategji reale. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!