Kushtetuesja “fundos” Belerin: I drejtë arrestimi dhe moslejimi për t’u betuar si kryetar bashkie

schedule15:11 - 21 Mars, 2024

schedule 15:11 - 21 Mars, 2024

Gjykata kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e Alfred Belerit, duke e cilësuar arrestimin e tij të ligjshëm.

“Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të zotit Beleri. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.

Gjykata kushtetuese i vlerësoi te të drejta edhe vendimmarrjet e gjykatave për mos e lejuar të betohet përballë këshillit bashkiak të Himarës si kryetar i bashkisë.

“Gjykata vlerësoi se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të zotit Beleri pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë, ajo (masa e arrestit) përbën një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur.”

Gjykata e Posaçme e ka dënuar me dy vite burg Alfred Belerin me akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, por gjykata pezulloi dënimin me burg dhe e vuri në shërbim prove për 3 vitet e ardhshme. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me dyshimin se iu dha para qytetarëve të ndryshëm në Himarë, në këmbim të votave të koalicionit “Bashkë Fitojmë./abcnews.al