“Nuk jemi shtet vasal!” Macron i përgjigjet Trump

schedule23:55 - 14 Nëntor, 2018

schedule 23:55 - 14 Nëntor, 2018

Emmanuel Macron i është përgjigjur kritikave që presidenti Donald Trump vërshoi ndaj tij në rrjetet sociale. Me një reagim të moderuar, Macron ka deklaruar se Franca është një aleat që meriton respekt dhe jo vasal i Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar të mërkurën se dy aleatë historikë si Franca dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt. Një ditë pas sulmeve që presidenti amerikan i bëri në Twitter, Makron tha se Franca është vend aleat i Amerikës, por jo një vasal i saj.

“Në çdo moment të historisë sonë ne kemi qenë aleatë dhe mes aleatëve respekti reciprok është detyrim”, deklaroi Makron.

Në 5 postime të bëra të martën, pak ditë pas vizitës në Francë, Donald Trump i kujtoi shefit të Elizesë dorëzimin e Francës përpara Gjermanisë në dy luftërat botërore dhe i tha se po të mos ishte për Shtetet e Bashkuara, francezët sot do të flisnin gjermanisht.

“Nuk besoj se francezët presin nga unë që t’u përgjigjem postimeve të tij. Besoj se ajo që presin është që të vazhdoj historinë e aleancës sonë”, vijoi Macron. Presidenti francez theksoi se, Trump po bën lojra politike dhe u shpreh se taktika të tilla nuk e shqetësojnë.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati me të cilin ne ndajmë të gjitha rreziqet, me të cilin kryejmë operacionet më të komplikuara. Por të jesh aleat nuk do të thotë të jesh një shtet vasal”, vijoi Macron.

Marrëdhëniet dikur të ngrohta mes Macron dhe Trump u ftohën pas deklaratës së liderit francez për krijimin e një ushtrie europiane, që nuk u prit mirë nga shefi i Shtëpisë së Bardhë./abcnews.al