Nevil Dede është i ftuar ditën e sotme në emisionin “Pressing” në ABC dhe gjatë fjalës së tij ai iu përgjigj pyetjeve në lidhje me merkaton dhe rastit të dyshimtë me Kukësin.
“Në çdo kohë që Tirana do të më thërrase unë do i them po. E dija që Tirana ka një ekip të mirë dhe lojtarë me eksperiencë, por se dija për largimin e Cobbinah dhe dëmtimet e mbartura. Kemi luajtur mirë me të mëdhatë, por kemi gabuar me Bylisin apo Skënderbeun.
Arbitrat gabojnë sepse janë njerëz edhe kundër Tiranës, edhe pro Tiranës. Kukësi vinte në moment më të mirë se ne. Ne kishim lojtarë të rinj, arritëm të rikuperojmë Torassën, por sulmuesi na dënoi sepse tha se ishte gati, por u dorëzua dhe u detyruam ta zëvendësonin.
Në qoftë se dikush mendon për karrierë, tani jam në klubin tim, në Tiranën time. Unë do të punoj edhe në klube të tjera, por te Tirana ndihem ndryshe. Nuk kam thënë kurrë se pres përforcime në janar. Siç e tha edhe klubi, mund të ketë pasur bisedime me ndonjë lojtar, por deri këtu. Lojtarët që unë drejtoj janë më të mirët në botë.
Tirana dhe tifozët mund të mburren me gjithë talentet në fushë, çdo ndeshje mbyllet me pesë apo gjashtë lojtarë të rinj. Janë vetë politikat e klubit për tu mbështetur te të rinjtë, të ndërthurura me idetë e mia. Edhe në klube të mëdha. Conte vjet merrte një 17-vjeçar dhe e vendoste në sulm. Të detyrojnë edhe situatat.
Mua më vjen keq kur largohet një lojtar i mirë, por Cobbinah është histori e mbyllur dhe nuk dua të bëhëm “qaraman”. Mua më intereson të rregulloj gjërat që nuk ishin mirë kur unë e mora këtë skuadër. Ne do bëjmë zgjidhjet më të mira. Kemi shënuar pak gola dhe golashënuesit kryesorë janë Muçi dhe Batha. Kemi diskutuar me klubin dhe shpresoj që shpejt të arrijmë të rregullojmë diçka në merkato.
Duhet të jemi më potentë para portës, por e kemi bërë përveç ndeshjes me Kukësin. Mund të pranohet që ndaj një kundërshtari të tillë mund ta fitosh ndeshjen me një goditje në portë dhe ne mund ta kishim bërë. Ka shumë njerëz që komentojnë dhe kam parë çudira. Shoh figura të mëdha që flasin dhe shoh edhe disa që kanë dalë në pension. Nëse mendojnë se mund të punojnë, le të kthehen nga pensioni në punë.
Goli i anuluar i Kukësit? Futbolli është lojë gabimesh, arbitrat kanë gabuar dhe do gabojnë. Unë sa të jem trajner i Tiranës nuk do të gjykoj arbitrat. Lojtari hyn dhe del nga pozicioni jashtë loje dhe është vendim i vështirë. Rastin final për të mbyllur ndeshjen e kishim ne në ndeshjen e djeshme, pavarësisht se numrat nuk ishin në favorin tonë”, u shpreh ndër të tjera Dede. /abcnews.al