I ftuar në “Radari Informativ” me Juli Xhokaxhi në ABC deputeti socialist Ilir Metaj përsëriti edhe një herë atë që kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë: Propozimet që vijnë nga Rithemelimi për presidentin e ri nuk do të merren në konsideratë.
Metaj tha se mazhoranca është e hapur për çdo propozim nga ajo që ai e cilësoi si opozita legjitime, që ka dhe një numër më të madh deputetësh në parlament.
“Historiku e ka treguar që filozofia e kësaj mazhorance është të shtrijë dorën e bashkëpunimit ndaj opozitës. Opozita legale është PD. De jure është ajo që ka shumicën në parlament.”
E ndërsa gazetarja i kujtoi se edhe nga PS ka figura të futura në listën e zezë të SHBA-ve, deputeti socialist tha se asnjë prej tyre nuk ndodhet në parlament.
“Nuk bashkëpunojmë asnjëherë me një opozitë të shpallur non grata. Përgjegjësia është individuale. Asnjë rregull i shkruar nuk është thyer nga mazhoranca.”
Por, ka emra që qarkullojnë mes shumicës për një kandidat të mundshëm për president? Deputeti Metaj nënkuptoi që po, por shtoi se për sa kohë ata nuk janë komunikuar për t’u pyetur nuk është etike që të përmenden.
Ndërkohë, në seancat e votimit në parlament, nëse opozita bojkoton, Metaj theksoi se askush nuk do u lutet.
“U kemi dhënë mundësinë të ndërgjegjësohen për rolin që kanë në proces, por nuk do t’u lutemi nga gjumi letargjik. Nëse në tre seancat e para do të vijojnë kështu, është punë për ta.” /abcnews.al/