“N’kufi”/ Trebisht-Xhepçisht: Kloni me telat me gjemba në oborr të shtëpisë

schedule18:34 - 6 Tetor, 2024

schedule 18:34 - 6 Tetor, 2024

Pika kufitare e Xhepçisht në zonën e Dibrës në anën e Shqipërisë dhe Trebisht në zonën e Tetovës, në anën e Maqedonisë së Veriut, u hap në maj të vitit 2013 dhe është vetëm për këmbësorë. Pika e përbashkët e kalimit kufitar funksionon çdo ditë nga ora 8:00-20:00 në verë dhe 8:00-18:00 në dimër, dhe është e destinuar për banorët e zonës kufitare.

Vendndodhja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar është në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vendin e quajtur “Livadhi”. Palët ranë dakord për hapjen dhe vënien në funksionim të pikës së përbashkët të kalimit kufitar të Trebisht-Xhepçisht për qarkullimin lokal.

Ceraneci është vetëm 500 metra larg vijës kufitare. Dikur këtu ishte kloni me gjemba dhe rrjeti i bunkerëve që mbulonte gjithë zonën. Kloni kalonte në oborrin e shtëpisë së Shefqet Izvicës, që nuk mund të mbante as lopë, as qen, as pula madje, sepse mund të preknin klonin.

I armatosur me pushkë gjermane, Shefqeti ruante kufirin, ndryshe, “i’i bënin duart kryq”, siç thotë ai. Bashkëshortja Bukurije Izvica, rrinte gjithashtu me kallashnikov në dorë.

“Rrija gjithë ditën me pushkë në krah”, na thotë duke shpjeguar se ruante fshatarët që punonin tokat në vijen e kufirit. Por nuk e do armën në shtepi, “se të prishet mendja dhe….”.

Në Peshkopi, Shpëtim Cena, na flet për miqësinë me Gollobordën.

“Shumë, shumë mirë i kemi pasur marrëdhëniet, janë zanatçinj që rrallë vend i ka, njerëz punëtore”, na thotë.

Në anën tjetër të kufirit, fshati Xhepçisht në komunën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut shtrihet rrëzë malit të Sharrit dhe përbri fushës së Pollogut dhe numëron më shumë se 4 mijë banorë. E gjithë zona ka një bukuri spektakolare, veçanërisht me malin e Sharrit, si një kurorë mbretërore mbi gjithë zonën, hijerëndë dhe i mrekullueshëm në të gjitha stinët e vitit.

Fadil Koleci po ujit tokat e tij në Xhepisht. Zabelet e kufirit shtrihen si kurorë mbi to. “E marrim ujin nga Shqiperia, ujisim me rradhe”, na tregon. Në Xhepçisht takojmë edhe Maliq Rrahmanovski, që me pak shqip sa di, na thotë se nuk ka punë për të rinjtë që emigrojnë në Itali, Gjermani dhe vende të tjera të Perëndimit.

Flasim për dasmat në këtë stinë dasmash. Ka qenë në dasmë në Shupenzë. “Bëhen më të mira në Shqipëri, muzikë dhe “të hash e të pish”,” na thotë.

Largohemi nga Golloborda në perëndim të diellit që nxjerr edhe më shumë në pah bukuritë mahnitëse të kësaj zone, të paqtë dhe punëtore./abnews.al