Një skenar korean për Ukrainën

schedule10:30 - 30 Prill, 2022

schedule 10:30 - 30 Prill, 2022

Nga Francesco Bechis “Formiche.net

P%rktheu: Alket Goce-abcnews.al

Vizita në Kiev e Antony Blinken dhe Lloyd Austin, përkatësisht Sekretari i Shtetit dhe i Mbrojtjes së SHBA-së, shënoi një ndryshim të qartë të ritmit në strategjinë amerikane. Dy muajt e luftës së Rusisë në Ukrainë, e detyruan Uashingtonin që të rishikonte objektivat e tij.

Në fazën e parë të pushtimit, dërgesa e armëve dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, e ndihmuan Ukrainën të mbrohej nga agresioni. Në fazën e dytë, të hapur nga Vladimir Putin me fushatën e tij të re që synon Donbasin, synimi është të parandalohet humbja e Ukrainës.

Një fazë e tretë është tashmë në horizont, dhe ka të bëjë me frenimin e Rusisë nëpërmjet një shkatërrimi të ngadaltë në terren të forcave të armatosura ruzse. Një luftë e ngrirë që fsheh synime edhe më të mëdha. Rusia duhet të humbasë. Se si dhe kur do të ndodhë kjo, mbetet të shihet.

Sa i përket synimeve të Shtëpisë së Bardhë, një përgjigje nga Kievi e dha në mënyrë të paqartë Austin, me një referencë të kufizuar në dukje vetëm ndaj përballjes ushtarake. Shtetet e Bashkuara, shpjegoi kreu i Pentagonit, duan të shohin “një Rusi të dobësuar”.

Por në dallim nga synimet fillestare të Putinit, lufta në Ukrainë është bërë gjithashtu një luftë me ndërmjetës. Dhe vendi i Evropës Lindore, është terreni i një konfrontimi të hapur, gjithnjë e më të qartë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. A do të mbetet kështu?
Ka disa arsye se përse po mbështetet strategjia e një lufte, që synon shkatërrimin e kapaciteteve të ushtrisë ruse. Kryeministri britanik,Boris Johnson, tha së fundmi se Perëndimi nuk e përjashton mundësinë e një fitoreje afatshkurtër për Rusinë në Donbas dhe në jug të vendit.

Aq kohë sa i mjafton Putinit për të shpallur një fitore në shtëpi, ndoshta deri më 9 maj, kur Moska do të festojë humbjen e Gjermanisë naziste. Por edhe një hipotezë e tillë nuk e ndryshon rrjedhën e ngjarjeve.

Forcimi i NATO-s, i konsoliduar ushtarakisht në kufirin lindor, dhe i gatshëm të zgjerohet në veri me kandidaturën e Suedisë dhe Finlandës, e bën fërkimin me Moskën një konstante e cila do të duhet të menaxhohet për një kohë të gjatë. Duket se administrata amerikane është tërësisht e vetëdijshme për këtë ndryshim.

Dhe me vizitën e Blinken dhe Austin në Kievi, konfirmohet edhe realiteti i ri faktik:Ukraina është kufiri i ndarës i Luftës së Dytë të Ftohtë me Moskën. Në këto kushte, deklaratat e Joe Biden, të cilat ai nuk i përgënjeshtroi në asnjë rast, mbi nevojën e një Rusie pa Putinin në pushtet, tingëllojnë më pak të rastësishme dhe më shumë koherente.

Pra nuk de fakto një plan për ndryshimin e regjimit në Moskë, i mohuar edhe nga Shtëpia e Bardhë. Por fakti është se që nga 24 shkurti, rivaliteti dhe papajtueshmëria midis Perëndimit dhe Rusisë Putiniane kanë marrë një rrugë pa kthim të dukshëm.

Nuk është rastësi fakti, se që nga fillimi i luftës janë kapërcyer shumë nga vijat e kuqe të përcaktuara fillimisht. Këtë gjë e tregon edhe dërgimi i armëve të rënda në Ukrainë, më shumë se 3 miliardë dollarë në 8 javë.

Dhe këtë herë jo më armë dhe sisteme mbrojtëse, por pajisje ushtarake me potencial të lartë sulmues, nga helikopterët e deri tek dronët e gjeneratës së fundit, të dizenjuara për t’i dhënë një goditje të rëndësishme kapacitetit operacional të Ushtrisë së Kuqe.

Një fuqi zjarri që 8 vjet më parë, kur Putin e pushtoi Donbasin dhe Krimenë, Barack Obama  as që mendoi ta vinte në dispozicion të Kievit. Megjithatë, kufiri midis një lufte me ndërmjetës dhe një konflikti të drejtpërdrejtë, është aktualisht shumë më i paqartë se sa dukej në fillim.

Dhe në fakt në debatin që po zhvillohet brenda SHBA-së gjatë javëve të fundit, nuk mungojnë pozicionet që po marrin parasysh edhe këtë bilanc të pasigurt. Në sfond, po shfaqet një qasje e sigurt:aleanca atlantike është e destinuar të jetë garante e sigurisë së Ukrainës.

Ose më saktë Ukraina që do të dalë nga kjo luftë, do të jetë tërësisht e vendosur për të vazhduar dhe përshpejtuar marshimin drejt Perëndimit. Në këtë kontekst – dhe në ngërçin pothuajse total të negociatave, të shpallura të pavlefshme nga patundshmëria e Putinit nga pozicioni i tij – ka ardhur koha të pyesim se çfarë forme do të marrë frenimi i ri anti-rus në Evropën Lindore.

Për Ukrainën duket se po hapet një skenar korean. Lufta Koreane në vitet 1950 ishte kampi i parë i vërtetë i Luftës së Ftohtë midis amerikanëve dhe sovjetikëve. Sot, lufta shkatërruese  në Ukrainë, është një pretendente për të nxitur nisjen e një Luftë të re të Ftohtë.

Situatat kanë ngjashmëri me njëra-tjetrën:Ashtu si në vitin 1950 Stalini, Mao dhe Kim Il Sung e nënvlerësuan jashtëzakonisht kohëzgjatjen, shkallën dhe koston e pushtimit të Koresë së Jugut, shoqëruar me reagimin e SHBA-së.

Edhe Putin e nënvlerësoi reagimin e fortë që do të kishte shkaktuar “operacionin special” në Ukrainë. Por me ndryshimin që sot rolet janë të kundërta, siç e vë në dukje ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Matt Pottinger: Xi Jinping në rolin e Stalinit, Putin në rolin e Maos, i vendosur për të dërguar “trupat e tij drejt vdekjes së sigurt”.

Rrjedha e luftimeve do të përshkruajë gjatë muajve të ardhshëm paralelin “38” në Ukrainë. Përgjatë atij kufiri – dhe midis llogoreve të një konflikt të ngrirë, por gjithmonë gati për t’u rindezur – do të vendoset fati i një përplasjeje, i destinuar të diktojë axhendën strategjike amerikane më shumë se sa mund të imagjinohet.

Nuk është rastësi që Uashingtoni po i nënshtrohet një rishkrimi të gjerë të prioriteteve të strategjisë së parë të mbrojtjes së SHBA që hartoi administrata Biden, dhe që është gati

të publikohet. Krahas “strumbullarit” dhjetëvjeçar në Azi, që ka nisur të zbatohet me një frenim të ri dhe më vendimtar ushtarak dhe ekonomik të Kinës në rajonin e Indo-Paqësorit, ekziston tashmë një “strumbullar” i ri evropian me skica ende të papërcaktuara.

/abcnews.al