Më në fund e kemi një rikthim në këtë kampionat.
Seria A pak vite më parë ka qenë shtëpia e madhe e shqiptarëve, ndërsa tani duhet të gëzohemi që aty mbërriti Mario Mitaj.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare do të luajë këtë sezon me Genoan, ndërsa klubi italian bëri prezantimin dhe dha njoftimin zyrtar.
Fillimisht, në rrjetet sociale dolën informacionet e sigurta nga gazetarët e njohur si Xhanluka Di Marzio dhe Fabrizio Romano.
Më pas dolën pamjet e futbollistit që zbriste nga makina, ndërsa ndodhej në qytetin e Gjenovës.
Menjëherë pas kësaj erdhi konfirmimi nga klubi ligur dhe fjalët e Mitajt se ishte objektivi i tij të luante në një nivel si Seria A dhe se është shumë i motivuar për të treguar veten.
Akordi mes Al Ittihadit të Arabisë Saudite dhe Genoas është arritur dhe flitet për huazim prej 12 muajsh, me të drejtë blerjeje verën që vjen.
Për shqiptarin ishin të interesuara edhe klube portugeze, sidomos Porto, por Genoa u tregua më e shkathët.
Nuk dihet se cila do të jetë marrëveshja për rrogën, pasi Mitaj fiton 3 milionë euro në sezon në Gjirin Persik, një rrogë e rëndësishme dhe pa u zvogëluar nga taksat, por besohet se shpenzimet mund të jenë ndarë.
Në varësi të paraqitjeve të mbrojtësit të majtë dhe në varësi të vlerës së kartonit të tij në treg, vlera e shpenzimeve për italianët në vitin 2027 mund të jetë 5 deri në 6 milionë euro, apo edhe më shumë.
Mitaj do të bashkohet në Serinë A me lojtarë si kapiteni kuqezi, Berat Gjimshiti, mbrojtësi Ismajli apo mesfushori Medon Berisha, ndërsa Ylber Ramadani u largua, e po ashtu pritet të bëjë edhe Kristian Asllani.
Me Al Ittihadin, 22-vjeçari luajti 58 ndeshje, shënoi 2 gola, dha 6 asistime, si dhe fitoi titullin kampion dhe Kupën e Mbretit.


