Fatbardh Kadilli mund të kandidojë për Tiranën në zgjedhjet lokale të 2023. Këtë, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së e bëri vetë të ditur gjatë një bisede me Juli Xhokaxhi në ‘Radari Informativ” në ABC.
Kadilli foli për një projekt bashkimi që, siç u shpreh ai vetë, do ta realizojë duke “bashkuar çdo thërrime opozitarizmi, kur secila prej palëve të kapërcejë vetveten.” I pyetur nëse e ka konsultuar me Sali Berishën idenë e tij dhe se nën cilën sigël do të garojë, Fatbardh Kadilli tha se do të marrë vendimin e duhur, duke parë sjelljen e secilës palë në PD.
Ai shtoi se me Berishën nuk është konsultuar, por se ka folur me njerëz të tjerë që “janë më të çliruar nga agjendat politike.”
“Po konsultohem me njerëz, që në zgjedhjet lokale kemi mundësi të kapërcejmë vetën. Mund të kandidoj për Tiranën, si një projekt për të sfiduar pushtetin në Tiranë. Dhe kjo bëhet duke bashkuar çdo thërrime opozitarizmi. Kur secili të kapërcejë vetveten…Qëllimi është të sfidojmë pushtetin e korruptuar që është po aq i korruptuar në qendër saç është në Tiranë. Do të jetë një projekt 100 për qind i ndryshëm nga Rama e Veliaj… Ofertën time e kam bërë, çdo politikan të mbajë qëndrimet e veta. Kundër apo pro një projekti për Tiranën. Po të hyjmë të përçarë, do të humbasim..”
Kadilli theksoi se ai po propozon një projekt të ri bashkimi dhe se nuk është duke bërë ndonjë provokim. Po ashtu, ai theksoi edhe se nga PD nuk është shkëputur dhe se nuk do të shkëputet ndonjëherë. /abcnews.al/