“Një Parlament pak më i mirë se ai i kërpëratave”, Meta paralajmëron vjeshtë “të nxehtë: Do zbresim në çdo shesh

schedule19:16 - 5 Shtator, 2022

schedule 19:16 - 5 Shtator, 2022

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga Berati ka paralajmëruar një “vjeshtë të nxehtë.”

Mbrëmjen e sotme, në një takim me përfaqësues dhe strukturat lokale të Partisë së Lirisë Meta paralajmëroi qeverinë Rama se opozita do të jetë në çdo shesh. Kryetari i PL deklaroi se do t’ia marrin pushtete kryeministria dhe do t’ia kthejnë popullit. Sipas tij, Parlamenti është jo legjitim.

Meta: Është koha t’ia marrim të gjitha pushtetet Edi Ramës dhe t’ia kthejmë popullit. Përmes referendumit populli do kontrollojë Parlamentin, qeverinë, drejtësinë, do të kontrollojë gjithçka ka të bëjë me interesat e tij sovrane. Ne e dimë se ku është fuqia jonë. Nuk është te Parlamenti, se ky është një Parlament jo legjitim. Është një Parlament pak më i mirë se ai i kërpëratave që mbani mend ju. Ne jemi parti e institucioneve dhe kështu do jemi gjithmonë. Ne do ta shembim Edi Ramën me protesta qytetare, do ta palosim, se ju duket si i gjatë ai juve. Unë e njoh shumë mirë Edi Ramën. Një njeri i papërgjegjshëm që ka thënë fjalët më të rënda për popullin tonë, për gjuhën tonë dhe që do të na i zëvendësojë të rinjtë me njerëz nga Bangladeshi.

Sesionin e ri e kemi nisur me një nismë konkrete. Me një projektligj për indeksimin e pagave sepse kjo gjë nuk ndodh prej shumë vitesh. Ne e dimë se ku është inflacioni sot, niveli i pagave, ne e dimë se ku është niveli i varfërisë sot. Ai nuk do t’ia dijë sepse i ka kapur gjithë pushtet dhe mendon se do vazhdojë të hutojë opozitën me lojërat e tij. ne jemi shumë të qartë dhe nuk do t’i lëmë asnjë minutë kohë Edi Ramës që të vijojë të vjedhë qetësisht. Ne do zbresim në çdo shesh beteje, jo vetëm në Kuvend.

Meta theksoi se Shqipëria nuk është çifligu i Edi Ramës, por është e gjithë shqiptarëve dhe i ftoi të bëhen misionarë për të mbrojtur interesin kombëtar./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!