Një ngarkesë prej 45.5 kg kokainë është kapur mbrëmjen e djeshme në portin e Durrësit. Droga ishte fshehur në një konteiner të ngarkuar me mish pule që vinte nga Brazili.
Burime për ABC raportojnë se droga ishte ndarë në 40 pako dhe në secilën prej tyre ishte e vendosur nga një foto e filmave të animuar.
Konteineri kishte si destinacion final Maqedoninë e Veriut ndërsa bëhet me dije se mishi i pulës ku u gjet dhe kokaina ishte porositur nga një firmë kosovare.
Policia njofton se vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas ngarkesës prej 45.5 kg kokainë.
Kjo është sasia e dytë e drogës që sekuestrohet nga Policia e Durrësit në port në harkun kohor të një muaji pasi më 17 Maj një tjetër ngarkesë prej 59 kg kokainë u kap në një konteiner me qymyr që vinte nga Ekuadori.
Teksa vazhdimisht jemi mësuar që kokaina në portin e Durrësit të vinte vetëm në konteinerët me banane, tashmë duket se trafikantët po e sjellin me çfarëdollojë ngarkese. Kjo është edhe një kambanë alarmi për autoritetet për të shtuar kujdesin dhe skanimin e konteinerëve që mund të cilësohen me risk të lartë. /abcnews.al/