Një në katër vendime të KPK rekomandohen për apelim

schedule14:12 - 17 Gusht, 2018

schedule 14:12 - 17 Gusht, 2018

Procesi i Vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës së Shqipërisë, një nga arteriet kryesore të zemrës së reformës në drejtësi të 2016-s kanë krijuar debat përtej partive politike në vend. Në një bilanc të deritanishëm, bie në sy se 25% e vendimeve të dhëna nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me rekomandim të vëzhguesve ndërkombëtarë, janë apeluar nga komisioneri Publik.

25% e vendimeve, ose ndryshe 1/4 e gjyqtarëve dhe prokurorëve të konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit janë ankimuar në Kolegjin e Apelimit me rekomandim të ndërkombëtarëve. Është ky bilanci i deritanishëm i vendimeve të organeve të Vettingut për procesin më të diskutueshëm dhe rëndësishëm derimë tani të reformës në drejtësi të 2016-s.

– Bashkim Dedja , kryetar i Gjykatës Kushtetuese;

– Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës së Lartë;

– Gentian Osmani, prokuror i Krimeve të Rënda, kandidat për KLP;

– Gentjan Medja, gjyqtar i Gjykatës Administrative Tirane, kandidat për KED;

– Edmond Islamaj, gjyqtar i Gjykatës së Lartë;

– Artur Malaj, gjyqtar i Apelit Administrativ Tiranë;

– Alma Brati, gjyqtare në Rrethin Gjyqësor Tiranë;

Emrat që shihni në këtë tabelë, mes të cilëve edhe krerët e dy gjykatave më të rëndësishme të vendit, sot të dyja jo-funksionale, i janë referuar shkallës së dytë të gjykatave të Vettingut për apelim të vendimit të dhënë nga KPK, e cila i ka rikonfirmuar në detyrë, bazuar në një vlerësim, dukshëm jo të mjaftueshëm për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ky i fundi, i quajtur ndryshe si “vëshguesit ndërkombëtarë” , bazuar në nenin 65 të ligjit për rivlerësimin kalimtar ka të drejtë të paraqesë rekomandim me shkrim për Komisionerin publik për të paraqitur ankim. I tillë ka qënë rasti për 7 nga 27 të konfirmuarit në detyrë nga KPK.
Me një kulmim të seancave të organizuara në shkallën e parë të Vettingut në muajin Korrik, ky numër rrezikon të rritet, duke ngritur dyshime lidhur me procesin dhe mënyrën e vlerësimit nga trupat e Vettingut të subjekteve të rivlerësimit.

Një tjetër rast i bujshëm kur përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është shprehur në linjë të kundërt me vlerësimin e KPK ka qenë edhe rasti i kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku, mungesa së cilës në sallë solli zhgënjimin e trupës gjykuese si dhe vëzhguesve ndërkombëtar, të cilët ngritën pikpyetje për komponentin e tretë të Vettingut, aftësinë profesionale të zonjës Marku. Kjo e fundit u konfirmua nga KPK dhe duket se ndërkombëtarët këtë herë i kanë kursyer kryeprokurores së përkohshme një rekomandim për apelim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!