Një klasike europiane luhet sonte në Champions

schedule14:58 - 20 Shkurt, 2018

schedule 14:58 - 20 Shkurt, 2018

Çelsi-Barcelona është sfida klasike europiane që luhet sonte në Champions. Në stadiumin “Stemford Brixh” të Londrës pritet një duel i ashpër, dhe një ndeshje spektakolare në orën 20:45.

Për fat, fluturimi nuk ishte shumë i gjatë.
Barcelona nuk pati ndoshta shumë fat në short, por u ndihmua nga fakti se ndaj Çelsit do të luajë në Londër, jo larg shtëpisë.

Kryesuesja e La Ligës, dhe mëtuese për të qenë sunduese e Europës, zbriti me qetësi dhe siguri në kryeqytetin britanik.

Yjet e shkëlqyer Mesi, Suarez apo Iniesta, sa për të përmendur disa emra, u pritën si yje roku nga tifozët londinezë, edhe pse do të jenë kundërshtarë.

Mesi e Suarez shfrytëzuan rastin për të takuar një nga ish-sulmuesit më të mirë të botës, Geri Lineker, simbol i Anglisë dhe fitues i Këpucës së Artë në Botërorin e vitit 1986 në Meksikë.

Katalanasit u ndjenë paksa si turistë në një nga qendrat më të mëdha e më të shquara të banuara të botës, me monumente sidomos të mesjetës e të kohëve moderne.

Ky aspekt i futbollit ndihmon për të larguar paksa stresin nga një kompeticion kaq masiv si Liga e Kampionëve.

Gjithsesi, detyra ishte e para, dhe oraret u zbatuan strikt, ashtu si edhe ai i stërvitjes në stadiumin “Stemford Brixh”.

Trajneri i Barcelonës, Valverde, u ngacmua në konferencë duke iu thënë se as Barcelona nuk e ka pasur të lehtë të shënojë gola jashtë fushe, në nivele të tilla në Champions.

Ernesto Valverde: “Ne i njohim këto statistika dhe tregojnë sesa e vështirë është të luash në Ligën e Kampionëve. Vështirësia vlen për ne, por edhe për kundërshtarët dhe pres që edhe kjo ndeshje të jetë shumë e fortë. Do të përpiqemi të shënojmë, por duke e ditur mirë sesa i fortë është rivali që kemi përballë, Çelsi. Do të kishim dashur të mos kishim pasur përballë Çelsin, aq më shumë me formën që po tregojnë skuadrat angleze. Gjithashtu, vlerësoj lart kolegun tim, Antonio Konten, një nga trajnerët më të mirë të botës”.

Radhën për të folur në emër të shokëve e kishte kroati Ivan Rakitiç, i cili gjithashtu e vlerësoi lart kundërshtarin.

Ivan Rakitiç: “E dimë se do të jetë një ndeshje e komplikuar, pasi po luajmë në fushën e një skuadre shumë të fortë që është kampione e Anglisë në fuqi. Çelsi ka lojtarë shumë të fortë fizikisht, të shpejtë dhe luan lojë agresive, ndaj duhet të jemi gati për t’ia dalë mbanë”.

Blutë e Londrës, pavarësisht nga komplimentet e katalanasve, e dinë edhe vetë se nuk po kalojnë momentin më të mirë.

Pozitat e trajnerit Konte janë tronditur ndjeshëm, ndërsa skuadra rrezikon të mos kualifikohet për në Champions sezonin e ardhshëm.

Sa është Çelsi gati, fizikisht dhe mentalisht, për këtë sfidë të madhe?

Antonio Konte: “Sigurisht që po flasim për një ndeshje të madhe, një sfidë e madhe për ne. Do të luajmë ndaj një skuadre fantastike, një prej më të mirave në botë, por mendoj se duhet të jemi të lumtur dhe të emocionuar që po ndeshemi me Barcelonën. Nuk do të jetë e lehtë, pasi përballë do të kemi Mesin, Suarezin, Iniestën. Duhet të jemi të kujdesshëm, por edhe ambiciozë, pasi duam të fitojmë dhe të kualifikohemi. E njohim lojën e Barcelonës, dhe duhet të jemi gati të vuajmë”.

Gjithsesi, në radhët e kampionëve të Anglisë luajnë talente të mëdhenj si Eden Hazard, që shumëkush e krahason me Mesin.

Eden Hazard: “Së pari është bukur, kur krahasohesh me lojtarët më të mirë të të gjitha kohëve, si Mesi apo Ronaldo, por unë jam i ndryshëm nga ata, krejtësisht i ndryshëm dhe luaj në një kampionat tjetër. Unë bëj punën time, dhe përpiqem të arrij nivelin e tyre, pasi janë më të mirët në botë”.

Çelsi – Barcelona është një klasike e futbollit europian, me të dyja skuadrat që kanë arritur ta eleminojnë njëra – tjetrën, dhe me një konflikt të madh në 2009, kur arbitri ndihmoi Barcelonën për të arritur finalen dhe për të fituar trofeun./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!