Shkencëtarët në laboratorin kërkimor biologjik në Izrael kanë arritur që të izolojnë një antitrup kyç që zbulon dhe neutralizon koronavirusin. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes në vend Naftali Bennett duke shtuar se kjo është një gjetje e rëndësishme drejt gjetjes së një trajtimi për virusin korona.
“Antitrupi neutralizues monoklonal” i zhvilluar në Institutin e Izraelit për Kërkime Biologjike “mund ta neutralizojë atë (koronavirusin që shkakton sëmundjen Covid-19) brenda trupave të transportuesve”, tha Bennett në një deklaratë.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se ministri ka vizituar laboratorin të hënën dhe aty ka marrë edhe lajmin për gjetjen e rëndësishme. Formula e këtij antitrupi ishte në proces patentimi pasi një prodhues ndërkombëtar do të marrë përsipër prodhimin e tij në masë.
Laboratori i Kërkimit Biologjik është duke udhëhequr përpjekjet e Izraelit për zhvillimin e një trajtimi dhe një vaksine për koronavirusin duke përfshirë edhe testimin e gjakut të marrë nga personat që janë shëruar nga Covid-19. /abcnews.al/