Një ditë pas zjarrit/ Laç, çfarë mbeti pas flakëve në fabrikën e këpucëve

schedule15:36 - 30 Nëntor, 2024

schedule 15:36 - 30 Nëntor, 2024

Në magazinën me materiale për prodhimin e këpucëve në fshatin Shullaz të Kurbinit është shkrumbuar gjithçka.

Megjithëkëtë vatra të vogla flakësh riaktivizohen herë pas here ndërsa tymi dhe era e rëndë  vijojnë ende.

Flakët shkaktuan dëme të mëdha materiale,  por famirësisht pa pasoja në njerëz.

Përfaqësues të kompanisë tregojnë se zjarri mori përmasa të tilla sa ishte e pamundur të shpëtonin diçka.

“Rreth orës 9 mbrëmë na njoftuan rojet. Për zjarrin në magazinën qendrore të fabrikës. Erdhëm të gjithë, lajmëruam zjarrëfikësën dhe policinë po zjarri kishte marrë përmasa të mëdha po skishim ça me bo, nuk futeshim dot. U munduam me të gjitha anët po zjarri bëri punën e vet, u zeru çdo gjë. Magazina ka qenë plot. Me materiale që do kryheshin e që do u dorëzonin për dhjetorin. Ne kemi rreth 2 mijë punonjës. Kjo është magazina kryesore të punës. Dëmi është i madh”, tha përfaqësuesi i kompanisë, Ilir Lleshi.

Në fabrikën ku prodhohen këpucët vijon puna.  Materialet e djegura ndodhen ende rreth magazinës ndërsa familja që banon pranë saj  nuk është  kthyer ende në shtëpi.

“Ishte shtëpia e parë që rrezikonte nga zjarret. Shyqyr zotit e ndjemë shpejt erën e tymit, dolëm përjashta. Janë disa materiale që kanë shkuar dëm, por jo në atë gjendje që mund të shkonte situata.
Cfarë është djegur? Disa materiale pune. Biçikleta fëmijësh që kemi tre. Shtëpi nuk hyhet brenda nga era e tymit, e djegura, por shtqyr që shpëtuam”, tha banorja Erlinda Lleshi.
Ku e kaluat natën?
Tek njerëzit e mi.
Sot jeni kthyer në shtëpi?
Jo, se nuk vijnë fëmijët. Nga era, frika të gjitha. Janë tre të vegjël.”

Frika ende nuk iu ka kaluar ndërsa shtëpia duhet riparuar.

“Kena pa tmerr. Kanë marrë flakë. Ka plas vendi. Tmerru fmija, vetë”, u shpreh banorja tjetër.
Sa veta jeni në shtëpi?
Tre fëmijët, burri, unë.
Ku e keni kaluar natën?
Jashtë, në makinë.
Jeni kthyer sot?
Po.
Dëme ka, dritaret, dyert, vendi brenda zi, po ca të bëjmë. “

Flakët dyshohet të jenë shkaktuar nga një shkëndijë elekrike. Ndihmuar nga era e fortë dhe një depozitë nafte pranë u përhapën me shpejtësi.

“Koha keqe, furtunë e madhe. Kanë bërë shkëndijë elektrike mesa duket. Te bizneset rreth. Ne furnizohemi me linjë nëntokësore, dmth duhet të jetë nga një kabull i familjeve ose bizneseve pranë që mund të na e ketë shkaktuar sepse ato i kanë linjat ajrore.
Ra zjarri, nisi stuhia, u fikën dritat që skishim as mundësi se ne kemi me impiant zjarrëfikës brenda, po u fikën dritat, me ça ti vinim pompat në punë, ne kemi ujë 24 orë se kemi puse”, tha përfaqësuesi i kompanisë.

Specialistë dhe efektivë të policisë paraditen e të shtunës u kthyen sërish në vendngjarje për të hetuar./abcnews.al