Nisin të hënën: Të parët që do t’i nënshtrohen testit të anti-genit

schedule15:56 - 5 Dhjetor, 2020

schedule 15:56 - 5 Dhjetor, 2020

Nga Ajgena Korbi

Kopshte, shtëpi fëmije, shtëpi të moshuarish, burgje e qendra pritje në Tiranë mund të jenë vendet nga ku të hënën mund të nisë aplikimi i testit të shpejtë për diagonstikimin e Covid-19, por kjo në rast se epidemiologët kanë indicie për shpërthim të koronavirusit.

Testi i anti-genit në fazën e parë të përdorimit të tij gjithashtu mund të kryhet për të ndërprerë  në një kohë të shkurtër  zinxhirin e infeksionit në ndërmarrje apo institucione të cilat hetuesit shëndetësor i vlerësojnë kyçe për përhapjen e tij.

Mjeku mikrobiolog Shpëtim Qyra shpjegon se kur duhet kryer ky test për të marrë rezultat të saktë.

“Supozohet që individi të jetë me viremi pra virusi të jetë në shtim. Çka do të thotë se këtu është shkalla më e lartë e sigurisë kur i kanë filluar shenjat klinike”, thotë mjeku.

Në fazën e dytë të aplikimit që nis me datën 20 dhjetor testi i anti-genit do të shpërndahet dhe në disa qendra shëndetësore në kryeqytet. Qytetarët do të mund të kryejnë atë në pika që do të përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë pas vlerësimit nga mjeku i familjes.  Do të jetë ai që do të planifikojë vendin dhe orën kur personi i dyshuar do të paraqitet për testin e anti-genit.

“Testi do të kryhet pranë qendrave shëndetësore në një ambient më vete dhe do të shkojnë pacientët që do të rekomandohen nga mjeku i familjes. Përgjigja brenda 30 minutave”, shpjegon mjeku.

Pas Tiranës testi i anti-genit do të shtrihet në qytetet e tjera  sipas një kalendari të përcaktuar.  Ndërkohë që prej datës 20 dhjetor  ato do tu vihen në dispozicion dhe spitaleve rajonale. Këtu do të përdoren për  rastet e urgjencave të dyshuara për Covid 19 bashkë me testimin PCR që përdoret aktualisht. /abcnews.al