Nisin ethet presidenciale në SHBA

schedule12:29 - 13 Janar, 2019

schedule 12:29 - 13 Janar, 2019

Edhe pse duhet më shumë se një vit, në Shtetet e Bashkuara kanë nisur që tani ethet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Dy figura të demokratëve, njëri me prejardhje latine dhe tjetra me prejardhje indiane kanë shprehur ambicjen për të kandiduar kundër presidentit Donald Trump.

Dy politikanë nga radhët e demokratëve kanë njoftuar se do të sfidojnë Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Xhulian Kastro nisi fushatën e tij ditën e shtunë, ndërsa Tulsi Gabard bëri me dije se do të dalë me një njoftim zyrtar së shpejti. Kastro pritet të jetë i vetmi amerikan me prejardhje latine në garë, ndërsa Gabardh e para anëtare e Kongresit me prejardhje hindu. Ata mund të jenë vetëm dy nga një turmë e demokratëve që do të përpiqen të sfidojnë shefin e Shtëpisë së Bardhë. Deri më sot, vetëm ish-kongresmeni Xhon Dellanej ka nisur zyrtarisht fushatën, me shumë se një vit më parë. Krahas tij, senatorja Elizabeth Uorren njoftoi muajin e kaluar se po shqyrtonte kandidimin. Xhulian Kastro e bëri njoftimin e tij nga qyteti i lindjes, San Antonio në Teksas, ku ka shërbyer edhe si kryetar bashkie nga viti 2009 në 2014. 44 vjeç dhe i konsideruar një yll në ngjitje në radhët e demokratëve, Kastro ka shërbyer edhe si sekretar për punët e brendshme gjatë presidencës së Barak Obama dhe ishte në listën për të sfiduar Hillari Klinton në nominimet për zgjedhjet e 2016-s. Me prejardhje meksikane, ai e ka përdorur origjinën e tij për të kritikuar thirrjet e presidentit Trump për ndërtimin e murit, me qëllim mbajtjen larg të emigrantëve nga Amerika Latine. Duke i dhënë jetë përpjekjes së tij me parullën “Një komb, një fat”, Kastro tha: “Ne i themi “jo” ndërtimit të murit dhe “po” ndërtimit të komuniteteve”. Sidoqoftë, mediat amerikane nënvizojnë se Kastro nuk është një figurë politike e mirënjohur në Shtetet e Bashkuara dhe beteja e tij për të bërë për vete elektoratin do të jetë shumë e vështirë. Ndërkohë, kandidatja tjetër Tulsi Gabard tha në një intervistë për CNN se, dëshiron shumë të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet sot shoqëria amerikane. 37 vjeç dhe veterane e luftës në Irak, zonja Gabard shihet si një figurë e padiskutueshme në disa rangje të Partisë Demokratike të Shteteve të Bashkuara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!