Nis zhvarrimi i ushtarëve grekë në Dragot/Protestojnë aktivistët çamë

schedule11:30 - 22 Janar, 2018

schedule 11:30 - 22 Janar, 2018

Në Dragot të Tepelenës nisën gërmimet për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftes italo-greke. Në frymen e negociatave që po zhvillohen mes diplomacive të dy vendeve, ky proces është përshendetur nga Athina zyrtare. Por është kundërshtuar nga banorë të komunitetit çam, që protestuan sot pranë vendit, ku po bëhen zhvarrimet.

Zyrtarisht në Dragot të Tepelenës nisi zhvarrimi i ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke, në vitet 1940-1941.

Ambasadorja e Greqisë në vendin tonë, Eleni Surani, e shoqëruar edhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Konsullatës greke në Gjirokastër, Vasileios Tolios, shkuan aty për të parë nga afër punimet. Të njëjtën gjë bëri edhe prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj

Zona ku bëhen gërmime ishte e rrethuar nga policia, e cila nuk lejonte kalimin e personave të paautorizuar. Procesi parashikon lokalizimin, zhvarrimin, identifikimin dhe pastaj varrimin e tyre në dy varreza, në Bularat dhe në Këlcyrë, sipas vendimit të qeverisë shqiptare në 13 Dhjetor të vitit të kaluar.

Punimet për zhvarrimin në Dragot të Tepelenës po bëhen nën mbikqyrjen e komisionit dypalësh. Do të gërmohet në vendet, ku sipas hartave italiane të kohës, por edhe dëshmive të banorëve, janë varrosur ushtarët grekë që ranë gjatë betejave me italianët.
Nga gërmimet e para u zbuluan eshtrat e një ushtari grek. Në këto foto duket numri i identifikimit dhe eshtrat e tij.

Por nuk mungoi as protesta e disa qytetarëve. Disa prej të cilëve tentuan të prishin rrethimin por u policia ndërhyri.

Më herët, Athina ishte tërhequr nga kërkesa për kthimin në Greqi të eshtrave, duke gjykuar se ato duhej të mbeteshin në Shqipëri. Atëherë filloi një maratonë negociatash që përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes përkatëse në vitin 2009. Por kjo marrëveshje kishte mbetur pezull dhe u zhbllokua pas takimit që dy ministrat e Jashtëm, Kotzias e Bushati, zhvilluan në Kretë, në Nëntor të vitit të kaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!