Nis vakët fushata elektorale/ “Bashkë Fitojmë” pa kryetar në fletë. Alibeaj për herë të parë kryetar i PD-së

schedule15:12 - 14 Prill, 2023

schedule 15:12 - 14 Prill, 2023

E premtja e zezë e ortodoksve përkon me ditën zyrtare të celjes së fushatës elektorale. Por partitë që kanë mëkatuar më herët, sot e kanë bërë pushim.

Edi Rama që e çeli fushatën modestisht dy ditë më herët, këtë ditë zgjodhi të merrej me punë qeverie, e jo partie, madje ndërpreu edhe ritualin e mbjelljes së pemëve që e nisi në Tiranë dhe e vijoi në Durrës e Lezhë.

Por gjithësesi në 14 maj do të votojmë me dy fletë. Një për kryetarin e partisë dhe një për këshillin bashkiak. Komisioni ka hartuar fletën e votimit për Tiranën, ku sic shihet, cdo subjekt ka pranë vetes edhe emrin e kryetarit të saj. Por vendi mbi Edi Ramën, është bosh. Koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ nuk ka kryetar as Sali Berishën, e as Ilir Metën. Por në rreshtin e 9-të, bie në sy se për herë të parë, PD do të ketë si kryetar Enkelejd Alibeajn.

Sali Berishës i ngel të bëjë fushatë kundër numrit 9, kundër Partisë Demokratike, në 57 bashki ku Alibeaj garon edhe për Këshillin.

Meta e Berisha duhet t’u thotë votuesve të votojnë numrin 1. Cka nuk është e vështirë për t’u mbajtur mend.

Por për mbështetësit e tij, që e kanë lidhur votën historikisht me kryetarin e partisë dhe me logon e saj, do të jetë e zorshme ta perceptojnë një Berishë pa logo, një PD pa Berishë, dhe një fletë votimi pa emrin e Berishës fare, teksa ai udhëheq fushatën e koalicionit opozitar./abcnews.al