Nis rikonstruksioni i segmentit rrugor nga mbikalimi i shkollës Teknologjike në Kombinat

schedule13:39 - 25 Korrik, 2018

schedule 13:39 - 25 Korrik, 2018

Punimet kanë nisur edhe për rikonstruksionin e segementit rrugor nga mbikalimi i shkollës Teknologjike në Kombinat. Paralelisht kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, thotë se do të punohet edhe për ndërtimin e rrugëve dytësore.

Një tjetër hyrje për në Tiranë ka nisur të ndryshojë pamje. Bëhet fjalë për segmentin rrugor nga mbikalimi i shkollës Teknologjike deri në Kombinat. Punimet u inspektuan nga kryebashkiaku, Erion Veliaj.

“Ka qenë një stinë shumë e vështirë për kryerjen e punëve publike në Tiranë për shkak të shirave. Nëse vjet kishim thatësirë të gjatë, këtë vit kemi pasur mot jashtëzakonisht të vështirë. Megjithatë, po maksimizojmë ditët pa shi dhe faktin që njerëzit janë me pushime, që t’i japim Tiranës një hyrje të re moderne”.

Investimi pritet t’u vijë në ndihmë banorëve të njësisë administrative numër gjashtë, por edhe automjeteve që përdorin rrugën nacionale të Ndroqit. Ndërkohë që krahas këtij segmenti kryetari i bashkisë u shpreh se po vijojnë punimet edhe në rruget dytësore.

“Kemi aksin kryesor, por po punojmë në të dy anët, edhe nga “Misto Mame”, edhe nga “Musine Kokalari”. Po shtrijmë investimin në nivel kapilar deri te pragu i shtëpisë, investime që nuk e kishin prekur Kombinatin prej vitesh. Por, kjo kërkon mirëmbajtje; teksa mbarojmë aksin kryesor me dy xhepat anësorë, vijojmë në nivel kapilar në zonat ku qeveria ka ecur me legalizimin. Duke ecur bashkë, fillimisht legalizim, pastaj urbanizim, mund të bëjmë çdo qytetar të zonave informale përreth Kombinatit të ndjehet njësoj ‘tirons’ si kushdo tjetër që e ka shtëpinë buzë rrugës së Kombinatit apo në Bllok”.

Kryebashkiaku veçoi faktin se, si çdo rrugë e re në Tiranë edhe ky aks do të ketë në të dyja krahët korsi të dedikuara për biçikletat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!