Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur prishjen e disa prej banesave në Shkozë si pasojë e projektit për devijimin e lumit Lana. Mësohet se fillimisht, po prishet muri rrethues i një prej banesave.
IKMT ka lajmëruar se ditën e sotme do të prishen 5 banesa, ndërsa gjithsej bëhet fjalë për 15 të tilla. Të pranishme janë edhe forca të shumta policie. Që prej mëngjesit situata në zonë ka qenë e tensionuar. Kjo pasi banorët kundërshtojnë prishjen e banesave.
Ata pretendojnë se qeveria nuk do t’u japë dëmshpërblim, duke sjellë në vëmendje se edhe banorëve të tjerë që u janë prishur banesat para 3 vitesh, nuk u është dhënë dëmshpërblim. Banorët thonë për Abc News se do të mbrojnë shtëpinë e tyre deri në fund dhe se nuk do të lejojnë që të shkatërrohet mundi i tyre.
Banorët nisën rezistencën, duke hipur sipas tarracave të shtëpie të tyre. Ata u shprehën se nuk janë njoftuar në mënyrë ligjore për shembjen e shtëpive, por vetëm gojarisht.
Në mbështetje të banorëve ka shkuar edhe ish-deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi, i cili denoncoi prishjen e padrejtë të banesave, ndërsa tha se policia po përpiqet të ushtrojë terror ndaj qytetarëve./abcnews.al