Ngritja e Komisionit për investimet strategjike, Tabaku: Justifikimi i mazhorancës absurd, do ta çojmë në Kushtetuese

schedule12:55 - 28 Qershor, 2022

schedule 12:55 - 28 Qershor, 2022

E ftuar në “ABC Live” deputetja demokrate Jorida Tabaku ka sjellë edhe një herë në vëmendje çështjen e aeroportit të Vlorës. Tabaku, siç ka denoncuar edhe më herët, u shpreh se me këtë projekt po ndërtohet pa leje në zonë të mbrojtur ndërsa shtoi se e gjitha kontrata koncesionare është në shkelje të parimeve financiare.

“Po ndërtohet pa leje, duke prishur zonën e mbrojtur, dhe duke shkatërruar balancët e ndërtuara atje. Është shkelur konkurrenca, u është dhënë tenderi në rrugë korruptive dy kompanive pranë qeverisë. Nga ana tjetër  e gjithë kontrata koncensionare është në shkelje të parimeve financiare. Që të bëhet ai aeroport duhen siguruar të paktën 1 milionë udhëtues. Kapacitetet e munguara do t’i kompensojë buxheti i shtetit, me 138 milionë euro.”

Tabaku thotë që prej 6 muajsh komunikon me ministritë përkatëse, atë të Mjedisit dhe atë të Infrastrukturës dhe ish-ministri Klosi e garantoi kishte deklaruar aso kohe se zona është e mbrojtur dhe do të mbetet e tillë. Por megjithatë, Tabaku shton se fakt mbetet që do të ndërtohet në mes të një zonë të mbrojtur.

“Infrastruktura duhet të marrë parasysh ndikimin që ka në mjedis. Ndërton në mes të zonës së mbrojtur. Ka një mungesë informacioni të jashtëzakonshëm dhe unë kam kërkuar edhe interpelancë me ministren.”

Ndërsa, duke u ndalur tek Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike, deputetja demokrate tha se justifikimi i mazhorancës për ta rrëzuar ishte absurd. Kjo pasi, sipas saj, nuk ka investitorë të huaj, por vetëm kompani të favorizuara nga qeveria.

“Nuk ka investitorë të huaj. Justifikimi i mazhorancës është absurd. Ata e kanë frikë hetimin. I frikësoi standarti që vumë ne në komisionin e Inceneratorëve.”

Tashmë, fjalën e ka SPAK-thotë deputetja demokrate.

“Unë nuk e kritikoj SPAK, kam aq shumë ankesa dhe prapë pres që të veprojë. Duhet ta lëmë të punojë.”

Jordia Tabaku theksoi po ashtu se ajo dhe deputeti Gazmend Bardhi do vijojnë që ta bëjnë transparente vendimmarrjen në lidhje me komisionin në fjalë.

“Do vazhdojmë ta denoncojmë këtë aferë dhe do ta dërgojmë në gjykatën Kushtetuese. Unë dhe Bardhi do të vijojmë të bëjmë transparencë për vendimmarrjen. Në ato 37 leje, 85 për qind janë zbatim i bregdetit të jugut. Janë 10 individë të zakonshëm që marrin tendera.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!