Ngrihen akuza të tjera ndaj ish-manjatit të filmave Harvey Weinstein për krime seksuale

schedule22:32 - 12 Shtator, 2024

schedule 22:32 - 12 Shtator, 2024

Ish-manjati i filmave Harvey Weinstein është paditur me akuza shtesë për krime seksuale përpara rigjykimit të tij në Nju Jork, thanë prokurorët e Manhattan-it në një seancë dëgjimore të enjten.

Akt-akuza nuk do të publikohet derisa ai të dalë para gjykatësit për t’u informuar mbi akuzat e reja, seancë që pritet të mbahet më 18 shtator.

Zoti Weinstein, 72 vjeç, po merr veten nga një operacion urgjent në zemër të hënën në një spital në Manhattan dhe nuk ishte në seancën e së enjtes.

Prokurorët, të cilët e kanë ringritur padinë e rrëzuar më parë për përdhunim ndaj zotit Weinstein, njoftuan javën e kaluar se kishin filluar t’i paraqisnin jurisë prova për deri në tre akuza shtesë kundër tij.

Ato përfshijnë sulme të dyshuara seksuale në Hotelin ‘Grand’, i njohur tani si Hotel ‘Roxy’ dhe në një ndërtesë banimi në Manhattan. Rastet janë nga fundi i vitit 2005 dhe mesit të vitit 2006 dhe një sulm të dyshuar seksual në një hotel në maj të vitit 2016.

Prokurorët kanë vendosur të ringrenë padinë ndaj zotit Weinstein pasi Gjykata e Apelit në Nju Jork e përmbysi dënimin e tij të vitit 2020 për akuzat për përdhunim dhe sulm seksual dhe urdhëroi një gjyq të ri.

Mbetet për t’u parë nëse akuzat e reja do të përfshihen në rigjykim, siç shpresojnë prokurorët, apo do të trajtohen si çështje më vete nga gjykata.

Akuzat e reja vijnë pasi prokurorët në Britani njoftuan javën e kaluar se nuk do të ndiqnin më akuzat kundër zotit Weinstein, i cili u vu në shënjestër gjatë lëvizjes ‘#MeToo’ në vitin 2017, kur gratë filluan të tregonin publikisht për sjelljet e tij.

Zoti Weinstein, i cili bashkëthemeloi kompaninë e prodhimit të filmit dhe televizionit Miramax, ka pohuar prej kohësh se çdo marrëdhënie seksuale që ka patur ishte me pajtimin e grave që e kanë akuzuar për abuzim apo përdhunim.

Në seancën dëgjimore të së enjtes, gjykatësi Curtis Farber vendosi që për shkak të problemeve shëndetësore të zotit Weinstein, ai do të lejohet të qëndrojë në spital për një kohë të pacaktuar në vend që të kthehet në kompleksin e burgut të qytetit.

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhattan-it, Alvin Bragg, kishte sinjalizuar për muaj të tërë se akuzat e reja kundër zotit Weinstein ishin të pashmangshme . Ai ishte dikur një nga njerëzit më të fuqishëm në Hollywood, duke prodhuar filma si ‘Pulp Fiction’ dhe ‘The Crying Game’.

Gjykata më e lartë e Nju Jorkut hodhi poshtë dënimin e vitit 2020 kundër zotit Weinstein, pasi vendosi që gjyqtari në mënyrë të padrejtë lejoi dëshminë kundër tij bazuar në pretendimet e grave të tjera që nuk ishin pjesë e çështjes.

Prokurorët kanë thënë se një nga akuzueset në atë rast, Jessica Mann, është e gatshme të dëshmojë sërish kundër tij. Është e paqartë nëse akuzuesja e dytë, Mimi Haley, do të bëjë të njëjtën gjë. Avokatja e saj, Gloria Allred, nuk pranoi të komentonte.

Harvey Weinstein, po vuante dënimin me 23 vjet heqje lirie në Nju Jork kur dënimi i tij u anulua. Ai, megjithatë u dënua edhe në Los Anxhelos në vitin 2022 për një tjetër përdhunim.

Dënimi i tij me 16 vjet burg në atë rast ende qëndron, por avokatët e tij apeluan në muajin qershor, duke argumentuar se ai nuk pati një gjykim të drejtë në Los Anxhelos. Zoti Weinstein ka mbetur në paraburgim në kompleksin e burgut ‘Rikers Island’ të Nju Jorkut, ndërsa pret rigjykimin. /voa