Gazetari Ervis Iljazaj i ftuar në emisionin “Provokacija” në ABC News ka folur për ngjarjet e Bularatit dhe situatën politike në vend. Sa i takon nacionalizmit për ngjarjet në Bularat, Iljazi thotë se një rol negativ luajtën edhe përfaqësuesit e minoriteteve në Shqipëri, ndërsa Vangjel Dule në vend që të shuante zjarrin i hodhi benzinë.
“Nacionalizmi është në trend jo vetëm në Shqipëri e Greqi, por në gjithë Europën. Dhe në Greqi e Shqipëri është një joshje politike që është një nga rrugët që sjell konsensus. Reagimet ishin institucionale të moderuara dhe për të qenë të kujdesshëm në marrëdhëniet me Greqinë. Një rol negativ luajtën e dhe përfaqësuesit e minoriteteve në Shqipëri. P.sh. daljet e Vangjel Dules, deklaratat e tij i quaj tërësisht të pavend. Në vend që të shuante zjarrin i hodhi benzinë zjarrit. Këtu minoritetet përfaqësojnë një lloj nacionalizimi, ndërkohë që kanë probleme si gjithë qytetarët shqiptarë. Unë nuk di që Dule të dalë e të flasë për ekonominë, apo probleme, ndërkohë që bëhet prezent kur ka çështje të nacionalizmit dhe etnitetit. Minoriteti grek gëzon të drejtat si në çdo vend tjetër dhe çështja e minoritetit nuk ekziston fare”.
Sipas tij Dule, si përfaqësues i minoritetit në Parlament nuk ngre probleme, por flet vetëm për ndasi.
“Grekët e Shqipërisë ndihen grekë gjithë kohën. Po ky është problemi kur përfaqësuesi i tyre në parlament ngre probleme vetëm të nacionalitetit grek, ky nuk është problemi i tyre, por i atyre që e përfaqësojnë. Ata duhet të marrin pjesë në jetën publike shqiptare si qytetarë. Se shpesh flitet për këto ndasi, nuk flitet për çështje të tjera. Ata jetojnë si të izoluar, si t’u ketë rënë halli që jetojnë në Shqipëri. Ata janë shtetas shqiptarë”.
Më pas biseda me Iljazin vijoi me situatën politke në vend, ku shprehet se reforma në drejtësi ka bllokuar çdo lloj dinamike, ndërsa vetingun e konsideron historik për drejtësinë shqiptare.
“Politika shqiptare nuk jep asnjë lajm dhe një nga arsyet kryesore është reforma në drejtësi që ka bllokuar çdo lloj dinamike. Procesi i vetingut edhe pse është i anatemuar edhe pse kritikohet shpesh është proces historik për drejtësinë shqiptare”.
Për Iljazin përcaktues për vijimin e procesit është 15 dhjetori kur përfundon afati KED, që sipas tij nëse ndërtohet brenda kësaj date është shpresdhënës, në të kundërt kjo reformë do të ngecë.
“Ne nuk mund ta mendonim që gjithë trupa do futej në këtë sitë kontrolli, të gjithë e dinim që ishin të korruptuar dhe u vërtetua dhe ikën me vetingun. Për mua përcaktues është 15 dhjetori, është përfundimi i KED dhe nëse ndërtohet brenda 15 dhjetorit do të jetë një shtysë shpresdhënëse që do vazhdojë. Nëse nuk ndërtohet KED brenda 15 dhjetorit kam përshtypjen se kjo reformë do të ngecë”.
Sipas tij Mazhoranca ka luajtur mirë politikisht në marrëdhëniet me ndërkombëtarët që kjo reformë do shkojë deri në fund, ndërsa PD nuk ka qenë kurrë më keq në marrëdhëniet me ndërkombëtarët se tani.
“Mazhoranca ka luajtur mirë politikisht në marrëdhëniet me ndërkombëtarët që kjo reformë do shkojë deri në fund. Ky është gabim strategjik i opozitës që ka ngelur jashtë, ndërsa PD nuk ka qenë kurrë më keq në marrëdhëniet me ndërkombëtarët se tani, qoftë nga ambasadorët, por Rama është treguar më i shkathët politikisht. Mazhoranca ka rol më të rëndësishëm po dikush duhet ta çonte para këtë reformë”.
Përsa i takon mospjesmarrjes në zgjedhje të opozitës, Iljazi ndan mendimin se bojkoti do t’i jepte fund historisë 30 vjeçare të PD-së.
“Të mos marrësh pjesë në zgjedhje do të thotë t’i japësh fund historisë 30 vjeçare të PD. Nëse duan t’i japin fund historisë 30 vjeçare të PD atëherë mos marrin pjesë në zgjedhje. Kam përshtypjet se protestat e PD dhe retorika e kreut të saj bazohen te hallet e politikës, jo të njerëzve. Nëse i fton qytetarët se është rritur çmimi i naftës, i ka thirrur për kapjen e reformës në drejtësi, për lidhjen e politikës me krimin, por në perceptimin e tyre janë larg. Ka halle mjaftueshëm ku mund të ndërtosh një opozitë të mirë”./abcnews.al