Kryetarja e Akademisë së të Rinjve, pedagogia e letërsisë, Belfjore Qose ka ndarë në emisionin “Pas Mesnate” më shumë detaje rreth këtij institucioni.
Ajo është kthyer pas në kohë që në themelimin e saj dhe deri te qëllimi, që sipas Qoses, është vazhdimi i hallkave të zhinxhirit mes brezave.
Qose ka theksuar se po përpiqen të përfaqësojnë sa më shumë fusha dhe disiplina.
“Akademia e të Rinjve është themeluar në vitin 2017, por ka pasur një proces të konstituimit, edhe të autonomisë dhe të ligjërimit të saj, për arsye se me një vendim të Akademisë së Shkencave asohere me një vendim të kryesisë është ngritur Akademia e të Rinjve, në përbërje të të cilës asaj kohe ishim 16 anëtarë. Kryetarë atëherë kishim Andi Rrëmbecin dhe Gert Bakiun, me një kontribut shumë të rëndësishëm, ishin të dy fitues të çmimeve shkencore për kërkuesit e rinj në Akademinë e Shkencave.
Është më se e kuptueshme që të gjitha organizimet kanë një proces themelimi dhe konstituimi i cili shkon gradualisht në vendin e vetë. Edhe ky ka qenë një proces gradual, sepse ne kërkuesit nuk bëjmë asgjë shpejt, duam t’i bëjmë të gjitha të menduara dhe vendimet t’i marrim të pjekura. Qëllimi i ngritjes së Akademisë së të Rinjve që në fillimin e saj ka qenë krijimi i vazhdimësisë midis brezave, të krijohej komunikimi midis Akademisë mëmë, Akademisë së Shkencave, të cilët duke qenë profesorë me shumë përvojë janë dhe një brezë më në kohë. Edhe në këtë kuptim, Akademia kishte si qëllim të ruhej vazhdimësia.
Ne përpiqemi të përfaqësojmë sa më shumë fusha dhe disiplina, por një strukturë hirerakike nuk mund të përpiqemi ta burukratizonim kaq shumë”, u shpreh ajo./abcnews.al