Nga performancat në rrugë drejt skenës, Kristi Karnakaqe rrëfen rrugëtimin në muzikë

schedule12:05 - 28 Tetor, 2020

schedule 12:05 - 28 Tetor, 2020

Kristi Karnakaqe u bë i njohur nga performancat në rrugë, dhe më pas arriti të shkelë në skena të rëndësishme në vend. I ftuar këtë të mërkurë në “Abc-ja e mëngjesit”, Kristi tregoi se qëllimi i tij nuk ishte që të prekte skenën, por emocioni që ka përcjellë tek njerëzit e bëri atë të arrijë aty ku është sot.

“E lidh me ëndërrimtarin, me Piter Panin në të vërtetë nuk ka qenë qëllimi të prekja skenën dhe të fitoja çmimet. Qëllimi ishte t’i bëja gjërat me zemër dhe emocionin njerëzit e morën dhe e kthyen në çmime dhe vlerësime për mua. Dua t’i jap më shumë rëndësi gjërave që na mbushin, pastaj çmimi është thjesht simbolika.”, thotë Kristi.

Artisti morri gjithashtu një vëmendje të madhe me performancat që dhuronte gjatë periudhës së karantinës nga ballkoni i shtëpisë së tij. Kristi e cilëson këtë si një ndër gjërat më të bukura që ka bërë, duke iu ofruar njerëzve në lagjen e tij një “arratisje” nga situata në të cilën gjendeshin.

“Mendoj se është momenti që artistët të kenë një periudhë reflektimi me veten, është mirë nga ana sociale sepse kupton që nuk mund të jesh ai njeriu që je në skenë. Jeta ka kështu gjërash, na përball me realitetin por mendoj se nuk ka pandemi që e ndalon artistin. E gjen mënyrën dhe formën, kur ishte mbyllja në Tiranë mu desh të këndoja në ballkon, në raste të tjera mendoj që një artist nëse e do atë që bën do ta gjejë një mënyrë.

Nevoja ishte e përbashkët sepse dhe unë isha në shtëpi si gjithë të tjerët. dhe më duhej të mbaja zërin ën formë dhe të bëja prova, thashë po bëj prova me komshinjtë dhe qëlloi e suksesshme. Dilnin në ballkon dhe pyesnin kur fillon sot. U bashkua e gjithë lagjia, dilnin në dritare. por mendoj se lagjia është mirënjohës.”, shton artisti.

Kristi arriti të triumfonte së bashku me Lindi Islamin në “C’est La Vie”. “Ishte një trambolinë shumë e madhe, u bëra pak më popullor duke qenë se jam me rrugën dhe afër njerëzve. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Stepja ime e parë ishte që nuk do të doja të shkoja realisht, por ishte një frymë grupi shumë e mirë.“, tha ai. /abcnews.al