“Nga një skandal i tillë bien qeveri”, Hasa e Zhilla për listën e pagave: Shpërdorim detyre e dështim i disa institucioneve

schedule13:14 - 27 Dhjetor, 2021

schedule 13:14 - 27 Dhjetor, 2021

Përpos asaj që u cilësua si “lista e patroazhistëve”, ditëve të fundit janë bërë publike tre databaza të tjera me të dhëna personale të qytetarëve si pagat, kartat e identitetit apo targat e makinave.

Deri më tani dihet që prokuroria ka nisur hetimet ndërsa ka dhënë dorëheqjen Drejtori i Sistemit Informatik të Tatimeve Ervin Muça, por nuk ka të dhëna konkrete se nga cili institucion kanë rrjedhur të dhënat dhe në cilat mënyra.

Për Endri Hasën, sekretar për Komunikimin Digjital dhe ish kreu i AKSHI-t, përgjegjësia nis nga kryeministria pasi sipas tij ne sot kemi një shtet të integruar në Partinë Socialiste.

I ftuar në “ABC Live”, Hasa u shpreh, duke sjellë në vëmendje edhe databazën e patronazhistëve disa muaj më parë, se të dhënat janë mbledhur dhe publikuar për një qëllim të caktuar.

“Çdo bazë të dhënash krijohet me VKM, ka rregulla strikte të kontrolluara nga një ligj. Sot gjithçka është dixhitale, dhe rrjedhja e të dhënave mund të ndodhë. Problemi kryesor është individi. Kush janë personat përgjegjës? Problematika kryesore është mosndëshkueshmëria. AKSHI sot është një Big Brother i madh, duhet të përgjigjet për sigurinë e sistemeve për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve.”

Kurse Fabian Zhilla, profesor i së Drejtës Kushtetuese theksoi edhe një herë se nuk dihet se nga cili institucion kanë dalë të dhënat ndërsa shton se AKSHI duhet të verifikojë protokollet e shkelura, dhe të zbulohet se cilët janë personat e autorizuar që të kenë akses në të dhëna sensitive personale.

Zhilla sugjeroi që të ngrihet një Komision Hetimor Parlamentar që të bëjnë një analizë tërësore të sistemit, nëse kjo nuk bëhet nga institucionet apo ministria e linjës. Sipas tij ekziston mundësia që të kemi të bëjmë me një punonjës të irrituar, pasi të dhënat e deritanishme nuk të lënë të mendosh se kemi të bëjmë me një hakerim.

“Bëhet fjalë për një leaking. Ka ndodhur nga brenda, kemi të bëjmë me shpërdorim detyre, dështim të disa institucioneve që marrin në punë persona të papërgjegjshëm. Parlamenti duhet të veprojë, me një komision hetimor për të analizuar sistemin.”

Kurse për Endri Hasën, bëhet fjalë për një person ose disa të tillë që kanë pasur akses në nivele të larta që ka prodhuar ekstraktin e të dhënave.

“Problemi qëndron te qëllimi…në çdo vend të botës në momentin që del diçka e tille bie qeveria.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!