Nga hudhra, tek dushi i nxehtë dhe vaksina e gripit: Të vërtetat dhe gënjeshtrat më të përhapura mbi koronavirusin

schedule14:28 - 1 Prill, 2020

schedule 14:28 - 1 Prill, 2020

Koronavirusi është konsideruar si kriza më e madhe me të cilën po përballet globi pas Luftës së dytë Botërore. Numrii të prekurve ka shkuar në mbi 870 mijë, ndërsa numërohen të paktën 43 500 të vdekur.

Tematika e koronavirusit është një ndër më të prekurat në internet ku gjenden qindra milion materiale, një pjesë e të cilave të vërteta, por shumë prej tyre të pavërteta.

Abcnews.al ju sjell më poshtë disa nga informacionet mbi koronavirusin sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat i ka përgatitur Spitali Amerikan:

A janë antibiotikët efektivë në parandalimin dhe trajtimin e COVID-19?

Jo. Antibiotikët nuk kanë asnjë efekt kundër viruseve, vetëm kundër baktereve.

COVID-19 është virus, dhe si rrjedhojë antibiotikët nuk duhet të përdoren si mënyrë parandalimi ose trajtimi.

Sidoqoftë, nëse jeni të shtruar në spital si pasojë e infektimit me COVID-19, ju mund të merrni antibiotikë pasi mund të shfaqet një infeksion bakterial.

Koronavirus prek me shumë të moshuarit, apo edhe të rinjtë janë gjithashtu të riskuar?

Individët e të gjitha moshave mund të preken nga COVID-19.

Të moshuarit dhe njerëzit me gjendje shëndetësore ekzistuese (të tilla si astma, diabeti apo sëmundjet e zemrës), janë më të predispozuar të sëmuren rëndë nga ky virus.

OBSH sygjeron që njerëzit e të gjitha moshave duhet të marrin masa për të mbrojtur veten nga ky virus, si përshembull të kujdesen për higjenën e duarve dhe të frymëmarrjes.

A ndikon përdorimi i rregullt i solucioneve fiziologjike në parandalimin e infektimit me Koronavirus?

Jo. Nuk ka asnjë provë që vërteton se përdorimi i rregullt i solucioneve fiziologjike siguron mbrojtje ndaj infektimit me Koronavirus.

Ka disa prova të limituara që tregojnë se përdorimi i këtij solucioni, ndihmon që njerëzit të rikuperohen më shpejt nga ftohja e zakonshme.

Gjithsesi, përdorimi i solucioneve fiziologjike nuk ka rezultuar të jetë efektiv në parandalimin e infeksioneve respiratore.

A na mbrojnë vaksinat e gripit kundër Koronavirusit?

Jo. Vaksinat kundër pneumonisë/gripit, siç është vaksina e pneumokokut dhe vaksina e gripit “Haemophilus” tipi B (Hib), nuk sigurojnë mbrojtje ndaj koronavirusit.

Virusi është i ri dhe i panjohur dhe ka nevojë për vaksinën e vet. Studiuesit po përpiqen të prodhojnë një vaksinë kundër COVID-19 dhe OBSH po i mbështet përpjekjet e tyre.

Edhe pse këto vaksina nuk rezultojnë të jenë efektive kundër COVID-19, vaksinimi kundër sëmundjeve respiratore është i këshillueshëm për të mbrojtur shëndetin tuaj.

Koronavirus mund të transmetohet tek zonat me mot të nxehtë dhe me lagështirë?

Nga provat e bëra deri më sot, koronavirusi mund të transmetohet NË TË GJITHA ZONAT, përfshirë këtu zonat e nxehta dhe ato me lagështirë të lartë.
Pavarësisht klimës, merrni masa mbrojtëse nëse jetoni dhe udhëtoni drejt zonave që raportojnë rrezik infektimi me COVID-19.

Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten nga ky virus është larja e shpeshtë e duarve. Eleminoni virusin që mund të jetë në duart tuaja dhe parandaloni infeksionet që mund të përhapen me prekjen e syve, gojës dhe hundës.

Koronavirus NUK MUND të transmetohet përmes pickimit të mushkonjave

Nuk ka asnjë të dhënë që vërteton se koronavirus mund të transmetohet nga mushkonjat.
COVID-19 është një virus që prek rrugët e frymëmarrjes dhe përhapet përmes pikave kur një person kollitet ose teshtin, apo përmes pikave të pështymës dhe shkarkimit të sekrecioneve të hundës.

Për të mbrojtur veten, pastroni duart vazhdimisht me dezifektant me bazë alkoli ose duke i larë me ujë dhe sapun. Gjithashtu, evitoni kontaktin e afërt më këdo që kollitet ose teshtin.

Dushi i ngrohtë/nxehtë nuk e parandalon koronavirusin

Larja e trupit me ujë të nxehtë nuk e parandalon infektimin me COVID-19. Temperatura normale e trupit tuaj qëndron rreth 36,5 °C dhe 37 °C, pavarësisht temperaturës së ujit më të cilin ju laheni. Në fakt, larja me ujë shumë të nxehtë mund të jetë e dëmshme pasi mund t’ju djegë.

Mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga COVID-19 është pastrimi në mënyrë konstante i duarve. Duke bërë këtë gjë, ju eleminoni viruset që mund të ndodhen në duart tuaja dhe parandaloni përhapjen e infeksioneve që mund të ndodhin kur prekni sytë, gojën dhe hundën.

Moti i ftohtë dhe dëbora nuk mund ta VRASIN koronavirusin

Nuk ka asnjë arsye të besohet se moti i ftohtë mund të vrasë koronavirusin ose sëmundje të tjera.

Temperatura normale e trupit të njeriut qëndron rreth 36.5°C dhe 37 °C pavarësisht nga temperatura e jashtme ose moti.

Mënyra më efektive për të mbojtur veten kundër koronavirusit është pastrimi në mënyrë konstante i duarve me dezifektant me bazë alkoli ose larja e tyre me ujë dhe sapun.

A na mbron konsumimi i hudhrave nga infektimi me Koronavirus?
Hudhra është një ushqim i shëndetshëm e cila përmban disa trupa (antibakterialë).
Gjithsesi, nuk ka asnjë provë nga situata aktuale që vërteton se konsumimi i hudhrave mund të ketë një efekt mbrojtës nga infektimi me COVID-19.

Pse COVID-19 prek më shumë burrat se gratë?

Në pamje të parë duket se burrat kanë më shumë gjasa të preken nga COVID-19 krahasuar me gratë.

Ekspertët mendojnë se: Duhanpirja, konsumimi i alkoolit dhe sëmundjet shëndetësore ekzituese, janë disa nga faktorët që shpjegojnë pse shifrat e burrave që humbasin jetën nga COVID-19 janë më të larta se ato të grave sipas CNN.

Në vendet si Italia, burrat përfaqësojnë thuajse 60% të atyre që kanë rezultuar pozitivë ndaj testit te COVID-19 dhe 70% të atyre që kanë humbur jetën, sipas “Institutit të Shëndetit Publik”. Edhe në vende si Korea e Jugut, ku ka më shumë gra që kanë rezultuar pozitivë ndaj testit në proporcion me burrat, 54% e vdekjeve janë burra.

Sipas studimeve burrat kanë një incidencë më të lartë të sëmundjeve kronike siç janë sëmundjet kardiovaskulare dhe hipertensioni, gjë që rrit rrezikun për tu sëmurur më seriozisht nëse infektohen nga virusi.

Hulumtime të tjera pohojnë se faktorët biologjikë mund të jenë përgjegjës përse gratë kanë reagime më të forta imune ndaj viruseve, të cilat mund
të lidhen me hormonin “estrogjen” dhe faktin se gratë mbartin dy kromozome X, të cilat përmbajnë gene të lidhura ngushtë me imunitetin.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një studim i tillë është ende në fazën e tij fillestare.